by Kleitia Vaso

Edhe në shkrime letrare ku fuqia e fjalës është parësore, disa fraza mbipërdoren për arsye lehtësie duke humbur gradualisht efektin e tyre. Përdorimi i tyre ka si qëllim prezantimin e një kuptimi që duhet të jetë tërësisht i qartë për ne, lexuesit, pa na munduar për ti zbërthyer por, shpeshherë këto shprehje të gatshme nuk përcjellin asgjë. Ato thjesht lundrojnë në mendjet tona si rrjedhojë e mbiekspozimit. Një shprehje e këtij lloji është “peizazhet brenda nesh,” ose “peizazhe të brendshme,” diçka e tillë. E kam hasur shpesh por asnjëherë nuk më është dukur aq e gjetur sa pretendohej nga folësi ose shkrimtari. Përkundrazi, më tingëllonte si një kombinim fjalësh i pamenduar mirë, i cili përcjell një lloj thellësie që realisht nuk ekziston.

Ende nuk mendoj se kjo frazë është veçanërisht e bukur ose e gjetur. Por, gjithnjë e më tepër, kuptoj se gjithçka, qoftë edhe një shprehje, është pjesë e një marrëdhënieje. Si e tillë, forca ose dobësia e saj varet nga faktorë të panumërt që përfshijnë bukurinë e frazës, kapacitetin e mendjes të dëgjuesit/lexuesit, kohën e ditës, predispozitën emocionale ose mendore gjatë kësaj kohe, vetmi, mizëri – për të parafrazuar Baudelaire – e kështu me rradhë. Kombinimi i duhur në momentin e përshtatshëm – kjo është formula magjike e cila e shpalos fuqinë e saj të plotë në raste të rralla. Por, versione më të zakonshme të këtij lloj momenti mund të ndodhin shpesh; prej përplasjes midis fjalës ose imazhit të duhur me dozën e përshtatshme të diellit dhe ndjeshmërisë, për shembull.

Një ditë pata pikërisht këtë lloj përjetimi me një leksion të gjetur rastësisht nga shkrimtari i madh Jorge Luis Borges, i cili, pavarësisht gjenialitetit të padiskutueshëm, gjithmonë më është dukur paksa i ftohtë në mënyrën e të shkruarit. I kam lexuar veprat e tij – kryesisht tregimet e shkurtra – si probleme ose lojra që kërkojnë zgjidhje më tepër se si burime frymëzimi dhe emocioni. Por, në leksionin e tij mbi kënaqësinë e gjuhës poetike, ai shprehet në mënyrë aq të thjeshtë, të saktë dhe poetike – një kombinim ideal – sa më shtyu të mendoj dhe të ndjej zili për një jetë të jetuar me një mendje dhe botëkuptim më të rafinuar. Isha edhe veçanërisht e ndjeshme dhe emocionale atë ditë dhe njerëzit afër meje nuk po gjenin fjalët e duhura; por, ishte edhe një ditë jashtëzakonisht e bukur me diell. Kombinimi i këtyre faktorëve mundësoi që gjatë disa pjesëve të leksionit të prekesha jashtëzokonisht nga kapaciteti i Borges jo vetëm për të përthithur bukurinë e gjuhës poetike dhe emocionieve të shprehura në të por edhe për ti përcjellë tek dëgjuesi me fraza barazisht të bukura dhe aspak të komplikuara.

Prej kafazit tim të përkohshëm, mund të shihja ditën jashtë nëpërmjet disa shtresa pengesash: dritarja, bimët që pjesërisht bllokonin pamjen, dritarja e jashtme, hekura pas hekurash pas hekurash. Dhe pikërisht duke parë këtë pamje të penguar dhe duke menduar për Borges, shkrimet e mia, mendimet tona, e kuptova vlerën e një fraze paksa bajate si “peizazh i brendshëm.” Njëkohësisht këtu dhe atje, në një vend dhe në një tjetër, një kohë dhe një tjetër, në botën reale dhe fiktive, ne kemi brenda nesh kaq shumë botë të ndryshme – të dukshme, të padukshme, të eksploruara ose ende të panjohura – sa vërtet peizazhi ose bota e jashtme nuk mjafton. Për një moment të shkurtër, u ndjeva më e pasur, më e madhe dhe e fuqishme se bota jashtë, e aftë për të zgjeruar çastin në një njësi të pamatshme, për të jetuar disa jetë brenda njërës.

by Kleitia Vaso