by Kleitia Vaso

Duket e ftohtë, por nuk është. Së fundmi, i kam menduar njerëzit si lloje bankash që, në fakt, nuk është aspak e çuditshme kur mendon se bankat nga njeriu kanë ardhur. Siç ne pasqyrojmë natyrën në një version më të përmbajtur, një mikrokozëm, me fazat e hënës, baticat, zbaticat, përshtatjen, strategjitë e luftës e të kamuflimit, stuhitë e brendshme, ashtu edhe çdo gjë që kemi ndërtuar, është krijuar në imazhin tonë.

Si mund të kapërcesh nga natyra, fuqia dhe magjia, tek bankat?! Pa mundim, në fakt, sepse gjuha, ashtu si ne vetë, nuk mund të ndahet qartësisht dhe pa pengje në shtresa të pangatërruara, të papërlyera me njëra-tjetrën. Publikja dhe privatja, sipërfaqësorja dhe e thella, e ulëta, e larta, vulgarja dhe elegantja janë kategorizime pothuajse boshe për të vendosur rregull atje ku nuk ekziston realisht, Të gjitha janë pjesë e të njëjtit lëmsh të pazgjidhshëm, që do të thotë, ndoshta, se banka dhe zemra ndodhen më afër seç mendojmë.

Pavarësisht afërsisë ose distancës, gjithmonë ekziston një katalizator që shkakton të kutptuarit e vërtetë – me mendje dhe me ndjenjë – të fragmenteve të të qenit, jetës vetë. Nuk mund ta përcaktoj se si apo kur ndodh që fjala, momenti apo njeriu i duhur, prek një nerv që zgjon të gjithë – apo sa njoh unë, pjesën e kuptueshme prej meje – sistemin nervor, trurin, shtyllën e ndjeshme kurizore, e cila, si një pemë në një film vizatimor tendoset e përkulet për të kapur ushqimin që i ofrohet, ndonjë rreze dielli ose pike shiu, sipas motit, nevojës, dëshirës.

Nga dëshira dhe zjarri që e shoqëron sipas zakonit, megjithëse ka dhe dëshira ujore e ajrore, vijmë tek fjala ngacmuese në këtë rast, e cila e lënë vetëm është aq e ftohtë sa mund të shkaktojë dridhje. Investim. Një term që njerëzit e përdorin shpesh për paratë, kohën, kujdesin e kërkuar apo jo, gjeste bujare, dhënie në përgjithësi, ndjenja. Për arsye të natyrshme egocentrizmi, investimi zakonisht konsiderohet më i madh se rikthimi. Gabimi ose ngatërrimi, më saktë, vjen shpesh nga njësitë e shkëmbimit. Kërkohet, kokëfortësisht, do të shtoja, që vlerat abstrakte të kthehen në material dhe anasjelltas.

Shpresoj mos ta lexojë ndonjë bankier këtë. Nuk besoj por asnjëherë nuk I dihet. Kushdo që më njeh sadopak di që lidhja ime me bankën është e dyshimtë. Por kur dëgjoj fjalën investim në lidhje me veten, natyrshëm mendoj që jam bankë. Një krahasim ky kundër natyrës sepse në jetën reale, ku bankat merren thjesht me para, kursimi e investimi kërkojnë largpamësi dhe kujdes, dy virtyte që me tepricë mund të transformohen në vese, të cilat nuk i kam ose nuk dua t’i kem. Por, në lidhje me gjëra jo konkrete, jam një superbankë, pa modesti. Edhe ide e ndjenja 2-lekëshe në momentin dhe predispozitën e duhur mund të kthehen në thesare. Thesare që ndoshta vetëm mua më duken ashtu por nuk mund të gjykoj sikur nuk jam unë. Së fundmi, çdo bisedë më ngjan një sërë monologjesh tangjenciale, pika e takimit të të cilave mundësohet vetëm nga mendimi dëshiror i palëve të përfshira.

Kështu që çfarë mund të dimë, është vetëm ana jonë. Por, sipas mendimit tim, mos u pendoni për investimin, klientë të shkuar e të ardhshëm, investitorë të vegjël e të mëdhenj, dorështrënguar apo bujarë, sepse çfarëdo më jepet, sidomos e përthithur me vëmendje, bëhet pjesë e imja. Në proporcion, si çdo bankë, me investimin. Nuk mund të ofroj një kurs të saktë shkëmbimi sepse, fatkeqësisht, pavarësisht dëshirës tonë të flaktë për të matur ose peshuar gjithçka, në këtë rast nuk ekziston. Di vetëm të them se një diçka e rreme, e falsifikuar refuzohet dhe një tjetër e dhënë vërtet, rrënjoset mirë, qëndron tek trungu ose shtylla për sa kohë duhet për tu shtuar, shumëfishuar, transformuar për tu përcjellë një ditë – ndonjëherë, menjëherë, herë tjetër pas një kohe të gjatë –përsëri te njeriu tjetër dhe ndoshta edhe të tjerë që ndo-një-herë kanë ndjerë të njëjtën gjë si unë.

by Kleitia Vaso