by Kleitia Vaso

Rasti i fundit i këtij lloj aktiviteti (konferencë) ishte para disa muajsh dhe në të, u kënaqa pa masë, megjithëse asnjë i ftuar tjetër nuk e kuptoi. Konferenca mblidhte një grup bibliotekarësh – përfshirë edhe mua në grupin me këtë emër të pamëshirshëm – për prezantimin e një sistemi të ri virtual. U përqendrova maksimalisht tek prezantimi dhe nuk ishte aq keq, por qejfi i vërtetë filloi në pushimin e kafes.

Pushimi i kafes…një hap tjetër që nuk anashkalohet kurrë në këto lloj rastesh, me rradhat e sikletshme, të cilat, pavarësisht ndrydhjes të mire emocionalo- konferenciale, zgjojnë disa instinkte primitive bungle. Me filxhanin gati, të gjithë janë të gatshëm, me buzëqeshje të ngrira në fytyrë, të luftojnë këdo që guxon të futet pa rradhë për të marrë kafen filtër – jo shumë e mirë këtu por aq e shijshme atje – dhe të zgjedhë nga asortimenti i kufizuar i biskotave. Ndoshta vetëm unë jam gati të luftoj për prishje rradhe dhe kjo do të ishte vërtet e turpshme, por nuk besoj të jetë kështu. Megjithatë, në mbrojtje të vetes, dua të shtoj se, ose nuk i afrohem fare tavolinës ose, nëse marr mundimin, jam gati t’i shkoj luftës deri në fund.

Por, pushimi kësaj rradhe ja vlente mundimin pasi atje takova një personazh. Në fakt, shumica e bibliotekarëve të tjerë ishin personazhe për mua; shijova veçanërisht vëzhgimin e fytyrave të tyre sepse fjalët nuk i dëgjoja aspak ose shumë pak. Pothuajse të gjithë pjesëtarët e grupit po ankoheshin në një mënyrë ose një tjetër për mungesë fondesh, mungesë lekësh, mungesë diçkaje. Po t’i shihje pa zë mund të mendoje se gjithë ai pasion kishte të bënte me jetë a vdekje, dashuri, mëkat, intrigë…por, jo, në fakt ishte i kanalizuar për çështje fondesh dhe thashethemesh të rëndomta. Pavarësisht materialit të varfër, të gjithë ishim futur mirë në rol; në një moment, e kapa veten duke shprehur keqardhjen time për një problem që jo vetëm s’më prekte, po as më interesonte dhe as e mbaj mend.

Mendova se një pjesë e madhe e jetës tonë përbëhet pikërisht nga ky lloj aktrimi –sipërfaqja jonë që merr pjesë në mënyrë aktive në shkëmbime pa asnjë ose me shumë pak përfshirje dhe pjesa tjetër, e zhytur në thellësi, e cila jeton e shkëputur dhe përjeton ndjenja, mendime, marrëdhënie të tjera. Kuptohet që ky është përgjithësim; ekzistojnë shkëmbime dhe marrëdhënie që fillojnë dhe i pushtojnë të dy botët tona dhe, në fund të fundit, ato kanë rëndësi. Por, këto janë të rralla dhe, në rastet e zakonshme dhe shumë herë më të përhapura, për të qenë të suksesshëm në shfaqjen sipërfaqësore, duhet ta ndrydhim këte pjesë të brendshme aq sa mundemi. Por, ndonjëherë, nuk duam ta ndrydhim ose ndoshta, nuk mundemi. Ndërkohë që po më vinte për të qeshur me seriozitetin e tepërt dhe absurd të të gjithë situatës, mendova çfarë aktrimi! Dhe për çfarë teme! E di që Shekspiri ka shkruar që “e gjithë bota është një skenë dhe të gjithë njerëzit veç aktorë,” por këto nuk mund të jenë rolet që kemi zgjedhur! Nëse po, mungesa e guximit dhe e fantazisë është alarmante, për të qarë.

Duke menduar për Shekspirin e bibliotekarët dhe duke folur për nuk e di çfarë me njerëz që nuk i mbaj mend, u prezantova me një grua rrumbullake bionde që pothuajse më hipnotizoi me aktrimin e saj. Për një parantezë, mund ta përshkruaj si dikush që dikur mund të kishte qenë shumë e mirë dhe ende kishte gjurmë nga e kaluara premtuese por, e cila, tani, llastohej e përkëdhelej si një Lolita e rritur, e ngecur në një punë të rëndomtë e një jetë që nuk i kishte arritur parashikimet e ëndërruara. Llastimet, fryrjet e buzëve e sytë e pikëlluar nuk përputheshin me përmbajtjen e dialogut, me ankesat për rrogën e ulët e aplikimet e shumta për grant-e pa rezultat. Gjestet prej një madame Bovarie të ditëve tona dukeshin se duhet të drejtoheshin drejt një të dashuri që s’po i rikthente dashurinë, jo drejt një publiku po aq të ngecur e kryesisht të painteresuar. Dhe atje, edhe një here, gjithmonë e më shumë, e kuptova idenë e Frojdit për instinktet tona të shtypura e të ndrydhura: tek të gjithë ekzistojnë të njëjtat dëshira primitive e bazike, të cilat i kanalizojmë në forma të pranueshme, produktive në disa raste por, gjithsesi, hije të zbehta të potencialit, ndjenjës dhe instinktit dikur (në fëmijëri, jo në shpellë) brenda nesh. Në rastin e koketës bionde, fjalët e saj i përshtateshin ambientit por sjellja tradhëtonte gjurmë të një versioni të vetes që nuk ishte zhdukur ende plotësisht dhe me sukses.

Është e kuptueshme që elementi primitv duhet zbutur për të funksionuar si qytetarë “normalë” por, përsëri, çfarë mendova ishte: pse përfundojmë duke u llastuar me të panjohur duke diskutuar aplikime e rroga kur qartësisht kemi nevojë për afeksion e ngrohtësi të një lloji tjetër? Pse ankohemi vazhdimisht për gjëra të vogla nëse nuk kemi kurajon të bëjmë më shumë dhe, më pas, e nxjerrim këtë mungesë duke u shfryrë e shtrembëruar me disa të barabartë simetrikë? Pse nuk i konsiderojmë ditët tona si të numëruara – ashtu siç janë – dhe përpiqemi t’i japim dhe t’i marrim gjithçka që mundemi jetës, e cila nuk ka pse të jetë kaq tmerrësisht e kufizuar? Nuk e di. Ndoshta kjo mënyrë është më e thjeshtë dhe më pak e “çmendur”. Por, do të doja mos ta jetoja jetën time duke pretenduar që ndjej emocione reale për një prezantim mediokër mbi një produkt që ndryshon pothuajse asgjë, kur e ndjej që potencialet janë të pafundme, mjafton t’i shfrytëzosh. Ndoshta, pak më vonë, ky eksplorim do të bëhet tepër i mundimshëm dhe, në një mënyrë ose një tjetër, do ta zbus duke e vrarë dalëngadalë shpirtin e pangopur barbar. Por, për momentin, nuk mundem ose nuk dua të aktroj në këto nivele dhe kur shoh njerëz përreth të cilët arrijnë të bindin veten, jo vetëm të tjerët, më vjen të qesh, me lot.

by Kleitia Vaso