by Kleitia Vaso

Megjithë kritikën e pamëshirshme të filmit 50 Hijet e Grejit dhe publikut të tij – përfshirë këtu edhe veten –mund të them se më shërbeu që e pashë. Rezultati më pozitiv, përveç nxitjes për të menduar mbi botën përreth, është që e pashë këtë botë me vëmendje. Shpeshherë e shoh atë prej një lloj distance, gjë që prodhon një rezultat po aq negativ, do të thoja,sa pëlqimi i pamenduar i një produkti hiperkomercial si Greji. Pra, shmangja apo mosnjohja e realitetit përreth është një krim po aq i rëndë sa pëlqimi dhe vlerësimi pozitiv i diçkaje si 50 Hijet e Grejit, sepse edhe në këtë rast, krijohet një botë e izoluar, po aq artificialisht e sigurt dhe irreale. Por, kjo është një temë tjetër.

Në fund të fundit, vlerësoj gjithçka që më shtyn të mendoj e të ndjej. Duke parë skenat aspak emocionuese në ekran – nga përfaqësimi i dhimbjes sipërfaqësore dhe të matur të prezantuar në film – mu kujtua dhimbja e vërtetë e një personazhi letrar të mirëfilltë: dhimbja e sirenës të vogël.

Këtë përrallë nuk e kam lexuar përsëri që në fëmijëri por më kujtohet se atëherë kam qenë e paqartë për dilemën e sirenës e cila, për të fituar dashurinë e princit, vendos të shndërrohet në njeri.“E ku qëndron vështirësia e këtij transformimi?” – mendoja.“Pse qenka kaq e padëshirueshme të jesh njeri, në fund të fundit?” Në atë fazë, ende nuk mund ta dija se përshtatja me dëshirat dhe kërkesat e botës – thjesht, përshtatja – është procesi më i dhimbshëm që ekziston. Për tu kthyer në adultë të sukseshëm dhe praktikë duhet të humbim gradualisht flatrat, bishtin dhe ca pjesë të tjera që nuk hyjnë më në punë. Për të shmangur dhimbjen, ne duhet ta vetëshkaktojmë, pak nga pak derisa të mos ndjejmë më asgjë.Që atëherë, e kam kuptuar mirë sirenën dhe ndarjen vrastare të bishtit të saj në këmbët që i shkaktojnë dhimbje therëse sa herë ecën. Në momente, e kam ndjerë vetë këtë dhimbje pothuajse të përballueshme pikërisht nga këmbët dhe ekzaktësisht në raste, gjatë të cilëve duhet të hiqesha si një vajzë e rritur. Mund të isha edhe vetë një personazh përrallash.

Një herë e një kohë, në një ditë të bukur me diell, ndërsa kthehesha nga një intervistë pune, e pispillosur, me flokë të krehura e taka të holla, të cilat zakonisht i anashkaloj, humba rrugën për në shtëpi. Kjo nuk ndodh shpesh, por në këtë rast sapo isha kthyer në vendlindje dhe, e emocionuar nga gjithçka, po jetoja përkohësisht në re. Duke kërkuar rrugën e duhur nëpër kodra me dhe e trotuarë me gropa, fillova të ndjej një dhimbje therëse në zemër e cila nuk ishte e shkaktuar nga ndjenja delikate dhe të thella por pikërisht nga këpucët katile që na ndihmojnë aq shumë të dukemi “femërore.” Në një moment, kur dhimbja arriti kulmet e saj, fillova të flisja me veten me shprehje të nivelit elementar si “o ma, o Zot!”. Qëniet ose superqëniet që thërret njeriu në çaste dhimbjesh ekstreme.“O sirenë,” më saktë, “më në fund të kuptova. Transformimi i panatyrshëm në një rol të ri nuk është aspak i lehtë.” Drejt fundit të rrugës për në shtëpi, kuptova se këpucët vrastare më kishin masakruar dhe, duke ecur, kisha lënë gjurmë gjaku gjithandej, një version më pak makabër i Hansel dhe Gretel, por kjo është një përrallë tjetër…

Sirena mu shfaq përsëri gjatë filmit dhe dhimbja e saj mu duk shumë herë më e madhe se lotët artificialë në ekran.“Dhimbje reklamash,” mendova, e zhgënjyer tërësisht me një pjesë të mirë të botës që pranon aq pak nga vetja.

Çuditërisht – dhe kjo mund të bëjë pjesë tek gjërat që më parë do të kisha turp ti pranoja – mendova edhe për Angelina Jolie, ndoshta për shkak të të shkuarës të saj të gjakosur e të trazuar, barazisht e adhuruar dhe e urryer nga shumë femra për “mungesë klasi” por të cilën unë e respektoj pa masë tashmë sepse ajo, pak a shumë, ka bërë çfarë ka dashur, mirë a keq. Pas shumë aventurave me bretk e bretkosa, takoi një tip princi, aspak më të mirë dhe të arrirë se veten – përkundrazi, në çdo detaj ata duken se janë përafërsisht të barabartë. Në këtë rast, nuk pyetet “Si ka mundësi? Po kjo, si ndodhi?” sepse përgjigjja është e qartë. Por ky “happy end” nuk erdhi nga asgjëja; aktorja/hajdutja e burrave/biseksualja/narkomania/regjisorja/pilotja/ambasadorja etj. etj. duhet të kalonte shumë versione jetësh për të arritur te kjo e tashmja. Kjo histori ka shumë mundësi të jetë po aq “përrallore” sa të tjerat por është një version që mund dhe dua ta besoj.

by Kleitia Vaso
  • Sier Pino Vaso

    Sapo e pashe filmin,……kritika tende eshte perfekte!

    YOU GOT IT!Mabi.

    • kleitia

      Faleminderit mabi – me pelqeka shume si fjale! Eshte kritike e shoqerise 🙂

    • joravaso

      Po mabi, jam dakord. Pa frike kritika me e sakte!