by Kleitia Vaso

Në konferencat e ndryshme profesionale në të cilat kam marrë pjesë, shpeshherë, për të mos thënë gjithmonë, ndjehem sikur të gjithë pjesëmarrësit, duke përfshirë edhe veten, po aktrojnë pjesë të gjysmë-menduara e të përgatitura nga një dramatist mediokër. Zakonisht, konferencat ose takimet në fjalë ndodhin për prezantimin e një produkti specifik i cili premton të përmirësojë ose lehtësojë një pjesë të jetës, atë më praktiken. Konferencat dhe prezantimet në të cilat kam marrë pjesë këtu, në Tiranë, zakonisht janë organizuar për të prezantuar ndonjë “revolucion” teknologjik: një databazë, një kartë, produkte që në botën më të zhvilluar kanë kohë që përdoren dhe tashmë merren si të mirëqena, pa patur nevojë për prezantim. Si rrjedhojë, duhet pranuar se që në pikënisje, interesi im është i vakët.

Megjithatë, nuk kam asgjë kundër këtyre prezantimeve; madje do të shtoja që se si një njeri i cili gjysmën e kohës e kalon në botën e çudirave, ndonjëherë kam edhe pritshmëri pak më të larta se pjesëmarrësi i zakonshëm. Ndërsa njerëzit që shkojnë shpesh mund të parashikojnë me saktësi rrjedhën e ngjarjeve, unë, çdo herë mendoj që ekziston një shans i vogël por i vërtetë që mund të dëgjoj një fjali e cila mund të më ndryshojë ditën, nëse jo jetën, të shoh një fytyrë që do të më pëlqejë, të përthith ndonjë informacion nga sfera konkrete, profesionale, gjithnjë eluzive për mua – por, fatkeqësisht, sa filloj të përqendrohem, gjithçka mbaron.

Çdo lloj përmirësimi e surprize mirëpritet, megjithëse në  raste të tilla këto janë të pakta, duhet pranuar. Duhet pranuar, gjithashtu, që unë, pavarësisht varfërisë estetike dhe përmbajtësore të këtyre takimeve, mbledhjeve, konferencave, përsëri jam mirënjohëse për çdo thyerje të vogël të rutinës. Edhe mungesa e surprizës sjell diçka, në fund të fundit, kur del jashtë rregullave të lojës së përditshme. Kaq mund të them për pjesën pozitive.

Pjesa tjetër fillon që me fjalën “konferencë.” Sa dëgjon që duhet të marrësh pjesë, disa gjëra janë të sigurta: konferenca do të zhvillohet në një nga sallat e tre, katër hoteleve më të njohura në Tiranë, tavolinat do jenë të gjata ose rrumbullake të mbuluara me mbulesa blu të errët ose një vishnje jetë-thithëse, çdo vend ka të rezervuar një dosje që fillimisht të entuziazmon me premtimin e diçkaje që ndoshta mund të përdoret – bllok, stilolaps, çfarëdo suveniri i vogël dhe i veçantë – por jo, zakonsisht dosja përmban broshura aspak interesante, disa fletë të bardha dhe ndonjë stilolaps shumë të lirë. Për pak harrova, edhe ndonjë shishe ujë. E di që nuk është vendi i duhur për tepri dhe bollëk material, por shpresa ekziston gjithmonë që ndonjë devijim pozitiv mund të ofrohet nga ndonjë shpirt bujar i cili vendos ta organizojë ndryshe konferencën, me argëtim dhe informacion të nevojshëm, ilaç dhe sheqer. Megjithëse shpirtrat bujarë dhe konferencat përsëri nuk lidhen aq ngushtë…

Pastaj, arrijmë tek pjesa ime e preferuar, njerëzit. Në mungesë të larmishmërisë së sendeve, zakonisht, njerëzit janë ata që më shpëtojnë nga mërzia mpirëse. Edhe këta, duke përfshirë veten, kanë bërë më të mirën për tu mimetizuar me ambientin e vakët. Të gjithë kanë veshur kostumin profesional – këmishë, pantallona/fund dhe ndonjë shall për të shfaqur një grimcë individualiteti dhe shpalosje ngjyrash. Nuk e di se si edhe unë bie gjithmonë në të njëjtën grackë – zgjedh uniformën më “profesionale,” një look i cili nuk ka aspak lidhje me natyrën dhe preferencat e mia dhe që prezanton versionin më të mërzitshëm të vetes. Madje, disa here kam huazuar rrobat e adultëve të tjerë më të përgatitur. Në intervistën e punës së tanishme, më kujtohet që vesha “kostumin” e një personi tjetër – të afërt por prapë tjetër – dhe një shoqja ime më informoi më vonë, me një sinqeritet ndoshta të tepruar, se nuk i kisha bërë asnjë përshtypje. Nuk është çudi, në fund të fundit, sepse personi që ishte atje nuk isha unë.

Pavarësisht uniformitetit, Shqipëria të ndihmon gjithsesi në shtimin e kënaqësisë në të parit të njerëzve. Koncepti i “profesionales” është shumë i gjerë këtu; gjithmonë sheh ndonjë minifund më të shkurtër seç duhet, këpucë stripper-ash nëpër zyra, dekolte pak më të hapura, tualet më të përshtatshëm për performancën e një roli operatik sesa punës. Meshkujt janë gjithnjë më të mërzitshëm por edhe ata kanë kombinimet e tyre fatale pantallona-çorape, xhaketa të prera çuditshëm, etj. Në çdo rast ekzistojnë elementë që shkojnë përtej kufijëve të asaj që duhet por që përsëri krijon më tepër emocion se tonaliteti përgjithësisht neutral – bezhë, gri, blu – i këtyre afareve, sidomos në botën e zhvilluar.

Pjesa e parë

by Kleitia Vaso