by Kleitia Vaso

Nuk do ta kisha parë filmin 50 Hijet e Grejit nëse dikush nuk do të më kishte propozuar një kombinim eventesh, përfshirë dhe shfaqjen e filmit, të cilit nuk mund ti rezistoja. Por, pavarësisht rezultatit që përputhej me pritshmëritë e ulëta, nuk pendohem që e kam parë. Në fund të fundit, një libër/film aq popullor shpreh një pjesë të shpirtit të kohës (Zeitgeist) dhe armikun duhet të paktën ta njohësh. Përveç kësaj, nëse më parë kam pasur një lloj frike se gjërat e këqija mund të reflektonin negativisht mbi mua dhe njëkohësisht dëmtonin shijen time, tashmë ndjehem e sigurt për dy gjëra: që edhe po të më pëlqejë diçka e dyshimtë mund ta pranoj pa shumë turp si pjesë e imja dhe se, gjithashtu, me doza të barabarta mundimi dhe dëshire kam arritur të krijoj një lloj shije të përcaktuar që nuk do të ngatërrohej aq lehtë nga gjëra jo cilësore edhe në raste ku ato shfaqen më mirë seç janë. Rasti në fjalë nuk ishte i tillë. Reklama ishte një pasqyrim i saktë i asaj që përfaqësonte.

Duhet të pranoj që kam një lloj rezistence ndaj gjërave që pëlqehen në masë dhe librave që iu drejtohen një lloj target grupi dhe përpihen nga grupi në fjalë, i cili bie me dëshirë në kurth. Duke e parë filmin, e përfshirë në reagimet e publikut – pothuajse i gjithi femëror – po aq sa tek çka shfaqej në ekran, kuptova që e njëjta përrallë e lodhur po na servirej nëpërmjet mediumit që tashmë shpërndan opiumin e ri për masat. Kësaj rradhe, përralla nuk ishte thjesht një version i Hirushes, por Hirushja plus kamzhikë. Gjithsesi, kamzhikët janë aq të pastër e të rinj sa më mirë të ishin pupla.

Mund të ishte çdo lloj përralle, në fakt,në të cilën protagonistja jo aq interesante përfundon me princin po aq të vakët si karakter. E vetmja shtesë në këtë ripunim është që princi kënaqet vetëm duke mbajtur kontroll të plotë mbi situatën dhe ndjen kënaqësi seksuale kryesisht duke i shkaktuar dhimbje princesësh të ardhshme. Por edhe kjo nuk është diçka e re, siç do të diskutohet më pas. Antipatia ime kundrejt filmit filloi që nga dështimi i skenave të para për të fituar përfshirjen e shikuesit duke aktivizuar elementin më bazik: pezullimin e mosbesimit ose, siç quhet në anglisht, suspension of disbelief. Pezullimi i mosbesimit nënkupton përfshirjen totale në botën fiktive duke injoruar pikërisht faktorin më artificial – që gjithçka e shfaqur në ekran është e trilluar.

Qëndrimi im gjatë gjithë filmit mund të kategorizohet si skeptik. Që në momentet e para, kuptova që nuk mund të investohesha në një histori e cila fillon me një pëlqim pa shkak prej një personi të plotësuar dhe të arrirë – në sipërfaqe, sepse pas kesaj s’ka asgjë – me një vajzë të thjeshtë, aspak interesante dhe belbëzuese e hezituese. Që në këtë pikë, ndjeva lëshimin e opiumit nëpërmjet hapjeve të cilat supozohet të lëshojnë ajër të ngrohtë. Që këtu, fillon dehja e masave: shitja e idesë që, si femër ose si person, nuk ka nevojë të jesh aspak i/e plotësuar dhe interesant për të fituar vëmendjen e përqëndruar ose “dashurinë” e dikujt që, në pamje, ka investuar shumë më tepër në zhvillimin e vetvetes. Sa e lehtë qenkërka – thjesht prit në mënyrë passive për fatin e një takimi rastësor ku ti do të vlerësohesh maksimalisht duke mos bërë asnjë sakrificë apo mundim paraprak për të qenë më i/e pasur (jo vetëm në sensin financiar) vetë.

Përralla vazhdon me princin torturues, i cili pavarësisht shijeve të tij “të veçanta”, kompenson për dhimbjen (por edhe kënaqësinë) duke i dhuruar laptopë e makina vajzës të papërcaktuar. Një trajtim princeshash por që megjithatë shoqërohet prej një brenge të brendshme të vajzës e cila ndjehet here pas here e keqtrajtuar, një shqetësim që supozohet të tregojë “karakter.” E tmerrshmja është që publiku e pranon dhe e pëlqen këtë histori për të njëjtat arsye si vajza jonë: duke anashkaluar çdo lloj vetëanalize të thellë dhe duke e ndalur zhvillimin në pika të jetës të vendosura nga të tjerët, pjesa “interesante” serviret e gatshme nga një libër/film “risqué.” Publiku pret të gjallërohet nga libri/filmi në të njëjtën mënyrë që protagonistja, një version i skulpturës të Pigmalionit, pret të transformohet në një vajzë të vërtetë nga djali i vogël sadist. “Megjithëse zbatoj gjithçka që kërkohet prej meje në pamje, kam dëshira të errëta dhe unë,” duket se mendon publiku. Pëlqimi dhe shpallja e pëlqimit të këtij libri/filmi, për mua, shpreh thjesht këtë: dëshirën për të arritur statusin “interesant” pa bërë punën e duhur për këtë, një proces që duket mjaft i vështirë dhe mund të përfshijë shumë, ndoshta tepër, sfida: dhimbje, zhgënjim, ndryshim. Një formë rebelizmi duke shkelur herë pas here kufinjtë vërtet të rrezikshëm në jetë, jo kufinj të rremë si kamzhikët e përdorur me kujdes, kursim dhe pa dëshirë në film.

Me anë të kësaj analize dua të them se si unë, si të tjerë, duhet të luftojmë përtacinë mendore dhe ndjesore ose, nëse kjo preferohet, të paktën të pranohet si e tillë. Pranimi i gjërave sipërfaqësore e aspak cilësore që dhurojnë kënaqësi kaq momentale dhe ofrojnë deluzionin e bërjes të një aktiviteti në dukje me vlerë – lexim ose shikim – inkurajon prodhimin dhe shpërndarjen e këtij lloj materiali i cili nuk përmban asnjë vlerë, përmbajtësore apo formale.

Duke lexuar një libër si Grey, nuk përmirësohen as mendimet e as gjuha. Shkurtimisht, deluzioni se po bëhet një aktivitet me vlerë kur lexohet një libër i tillë çon drejt regresit, jo progresit.Mund të bëhet, pa dyshim, por duke e ditur çfarë përfaqëson.

by Kleitia Vaso