Praktiko atë që beson

by Kleitia Vaso

Po e prisja me padurim filmin “Më thërrit me emrin tënd,” një deklaratë që tingëllon bajate, por jo kur mendon se sa rrallohet përjetimi i kësaj gjendje pritjeje me kalimin e viteve. Në lidhje me filmat, ndodh gjithnjë e më rrallë. Përveçse kam parë shumë, tashmë jam në një fazë të jetës ku realiteti përbën një interes shumë më të madh se çdo jetë fiktive, kështu që pritja e një filmi me  padurimin e një fëmije që pret një lodër apo të gjithë nesh kur presim një mesazh apo telefonatë, pothuajse nuk përsëritet më. Megjithatë, herë pas here, ekziston një kombinim faktorësh – aktorët, regjisori, historia, dashurie nëse është e mundur, vendi, autori – i cili krijon frustrimin dhe kënaqësinë e njëkohshme që karakterizojnë gjendjen e pritjes.

Pavarësisht kuriozitetit, nuk prisja ndonjë kryevepër. Filmat e tjerë të të njëjtit regjisor më kanë kënaqur vetëm vizualisht por nuk më kanë prekur aspak. Më vijnë ndër mend veshje e shtëpi mahnitëse por historitë janë fshirë. I njëjti përshkrim vlen edhe për autorin e romanit në të cilin është bazuar filmi. Shpesh më rikthehen frazat e tij të sofistikuara e precize në përshkrimin e emocioneve të mjegullta e pothuajse të pakapshme me fjalë, por e njëjta saktësi më është dukur të fshehë një mungesë thellësie. Si rrjedhojë, prisja të shihja një film që do të më kënaqte shqisat por jo diçka që do të më përfshinte apo trondiste emocionalisht. I vetmi detaj që premtonte një element të papritur ishte shprehja e fytyrës e njërit prej aktorëve kryesorë gjatë intervistave rutinë për promovimin e filmit. Ndërsa buzëqeshte e fliste, dukej disi i çorientuar, ende i ngatërruar e i përfshirë në eksperiencën e xhirimeve, për të cilën nuk mund të fliste si një ngjarje që tashmë i përkiste të shkuarës. Fytyra e tij perfekte shfaqte, në mënyrë të pavullnetshme, një grimcë dhimbjeje. Dukej sikur ishte pjesërisht diku tjetër, jo duke qeshur me prezantuesin në skenë ndërsa i përgjigjej pyetjeve të përgjigjura me dhjetra herë.

Një natë fatlume, papritmas, zbulova se mund ta shihja filmin. Pa mundur të prisja gjatë, e shqetësuar që në fillim, nisa ta shoh. As vendi jashtëzakonisht i bukur, plot gjelbërim e ngjyra verore, dhe gjendja e ngadaltë dhe përtace e stinës në ekran nuk arritën të më qetësonin. Isha plotësisht e zgjuar dhe e përfshirë. Ndoshta sepse më tepër sesa tregimin e një historie, filmi të shtyn të përjetosh – të kujtosh apo të duash të provosh – të nëjtat emocione të dy protagonistëve. Më të njëjtën ngadalësi e natyrshmëri me të cilat dy personazhet afrohen me njëri-tjetrin, ashtu edhe unë, kapërceva, pa e kuptuar, kufirin ndarës midis botës reale dhe asaj fiktive. Përjetoja gjendjen e ekzaltuar të dy protagonistëve ndërkohë që mendja, njëkohësisht dhe në mënyrë të pavullnetshme, prodhonte krahasime të njëpasnjëshme me jetën e vërtetë duke krijuar kështu një film më të zbehtë shoqërues krahas atij që po shihja. Pavarësisht krahasimeve, përjetimi nuk i përkiste aspak shijimit intelektual. E shihja emocionin, e ndjeja, më kujtohej, përsëri si ndjenjë; pritjen, disfatat e përkohëshme por gjithsesi të hidhura, frustrimin, turpin, gëzimin dhe dhimbjen që pushtonte edhe trupin. Më preku reagimi fizik i Elios ndaj rënies në dashuri: gjaku që i rrjedh nga hunda, lotët e tij, nxjerrja e herëpasherëshme e ushqimit, dëshira për Oliver që shtrihet e përfshin gjithçka tjetër, vendin, botën e, si përfundim, veten.

Hunda e gjakosur më solli ndër mend papritmas të njëjtin imazh të një djali të vërtetë, dikush që ngjante i pjekur e i qetë në mënyrë të parakohshme deri në momentin që trupi e tradhëtoi nëpërmjet rrjedhjes të menjëhershme e të pandalshme të një currili të kuq flakë. Ri-ndjeva edhe një herë një lloj dhembshurie mëmësore të cilën nuk e kisha përjetuar me të njëjtin intensitet më parë. Kjo skenë hapi rrugën për të tjera, kujtime të çrregullimeve të mia të ndryshme, lotë e padurim të shoqëruar me temperaturë, muskuj të ngrirë e therrje stomaku. Kujtova dhe të tjerët, të afërt e më të largët, me paraliza të ndryshme e të përkohëshme, acarime fatkeqe lëkure në momente të paduhura, e pamje të ndryshme tragjiko-komiko si këto. Lumturia e thellë dhe pa masë e Elios, aq pa kufi sa derdhet e kthehet në dhimbje u përcoll në çast tek unë. Njësoj, njoha menjëherë përjetimin e fundit nga Oliver përpara se fundi të vijë. Fundi që përjetohet si vdekje. Apo një formë vdekjeje.

Megjithëse ishte vonë kur filmi mbaroi, nuk isha e përgjumur. Përkundrazi, ndjeva një mbidozë energjie e cila, kisha frikë se do të më linte pa gjumë. Gjë që nuk ndodhi. Çfarë më qetësoi disi ishte rikthimi në mendje i fjalëve të babait të Elios, i cili e dallon dhimbjen e të birit dhe e këshillon të mos ta anashkalojë këtë fazë, por të jetë mirënjohës për fatin e të përjetuarit të dashurisë bashkë me dhimbjen që e shoqëron. Eliminimi artificial i kësaj të fundit, sugjeron ai, shkakton një vetë-shkatërrim dhe mpirje e cila është më e rëndë se çdo lloj vuajtjeje apo përjetimi. Sigurisht, isha plotësisht dakord me këto fjalë. Ekziston një stinë për gjithçka dhe dhimbja që ndjek një lumturi të madhe mund të jetë po aq transformuese sa kjo e para. Në thelb, të jetosh do të thotë të ndjesh, të përjetosh. Kuptimi i plotë i jetës e kërkon edhe këtë. E qetësuar nga ky zinxhir mendimesh, rashë në një gjumë të thellë.

Në mëngjes u  zgjova shumë vonë. Më dhimbte koka dhe për pak çaste nuk orientohesha dot se ku isha, në ç’vend, në ç’kohë. Ndjehesha si pas një nate pijeje të tepruar dhe mu deshën minuta për tu rikthyer në një gjendje disi normale. Gjatë ditës, skena të filmit më vinin të pakërkuara para sysh duke më shkaktuar hutim, siklet apo buzëqeshje sikur ti kisha përjetuar ato vetë. Të shoqëruar me skenat, ndjeja emocionet e personazheve, shihja fytyrat e tyre, shprehjet ekzakte, sikur të ishin personazhe realë të jetës time. Fillova të lodhesha nga ky pushtim të cilin nuk e kisha kërkuar. Doja ta harroja filmin dhe të kthehesha me shpejtësi në rutinën e mëparshme. Dëshiroja mpirjen. Kështu që kur dalloja fytyrat e aktorëve nëpër artikujt e newsfeed, i kaloja me shpejtësi, pa u ndalur. Nuk doja t’i shihja fytyrat e tyre apo skenat e filmit. Çfarë doja të shmangia tërësisht ishin intevistat e aktorëve mbi filmin. Nuk më interesonin personalitetet e tyre reale. Dukeshin shumë më pak të gjallë se personazhet fiktivë.

Kuptova me shpejtësi se nuk do e ri-shihja filmin për pak kohë. Më frikësonte ri-hyrja në botën e tij. Nuk doja të ndieja më pak herën e dytë po aq sa më tmerronte mendimi se do të ndieja po aq apo më tepër. Doja thjesht të harroja, të vazhdoja jetën time me mendje të kthjellët dhe jo e zhytur në një gjendje gjysmë të dehur e nostalgjike, kur as nuk kisha pirë apo kisha marrë pjesë.

Me padurim për tu “shëruar,” u përpoqa të mendoja për filma të tjerë që mund të kishin dalë e të cilët kisha dashur t’i shihja vetëm pak ditë më parë. Nuk më erdhi në mend asnjë titull. E kisha humbur plotësisht dëshirën për ta. Mendoja se po të shihja diçka më të zbehtë, më pak emocionuese e më pak të bukur,  gjendja do të përkeqësohej. Do të doja të kisha interes por ende nuk mundesha. Ditë apo javë më vonë, mu duk vetja e gatshme për të eksperimentuar me një film të ri,  si një nga më të bukurit e vitit. Ndoshta, ky mund të arrinte ta dobësonte efektin e të parit. E pashë pothuajse në mënyrë armiqësore, pa qeshur me shakatë e duke pritur për fundin megjithëse ishte relativisht i shkurtër. Nuk e urreva por  nuk munda ta doja.

Sikleti është qetësuar me kalimin e kohës, siç ndodh gjithmonë. Ngadalë, me ritmin e tij, duke shpërfillur përpjekjet e mia të kota për ta shmangur apo zbutur, për ta zëvendësuar filmin me një tjetër të ri. Nuk mësojmë asnjëherë, siç duket, por jeta do të na mësojë. Shpresoj të kemi stomakun për ta duruar, të shkrijmë muskujt e të kapërcejmë frikërat sepse vetëm kjo eksperiencë mund të na afrojë me versionin më të mirë, maksimal të vetes. Edhe nëse është e përkohshme. Megjithëse po të jetë e vërtetë dhe mund të përballemi me pasojat, efektet janë jetëgjatë. Besoj se çfarë ndodhi mes meje dhe këtij filmi tashmë është e qartë.

Rashë në dashuri.

by Kleitia Vaso