by Kleitia Vaso

Në vizitën e fundit në varreza, duke kërkuar më kot për varret e gjyshërve në një xhungël tragjikomike ku shkel dhe trazon qetësinë e tjetrit për të respektuar të afërmit e tu, po shihja- si çdo njeri besoj -datat, emrat, dhe epitafet e zgjedhura e të gdhendura nga familjet përkatëse. Datat zakonisht shërbejnë si një ushtrim i thjeshtë matematikor; me shpejtësi zbres numrin e vogël nga më i madhi dhe reagimi i heshtur, në mendje, është ose neutralitet dhe pranim pa shumë pikëpyetje për moshat më të mëdha, habi e lehtë në raste njerëzish të rinj bashkë me një lloj kurioziteti për historitë që i kanë çuar atje si edhe një ankth të mprehtë por jetëshkurtër të cilin e largoj me shpejtësi kur shoh mosha të afërta me ato të prindërve të mi.

Emrat i lexoj për të pare nëse njoh dike dhe për të krijuar një ide për personin, duke besuar gjithmonë në kredon nomen omen (emri është një shenjë, ose ogur), një nga shprehjet më të vlefshme të dhuruara nga S., një partner jetëgjatë i aventurave dhe krimeve, sidomos gjatë fëmijërisë tone pothuajse perfekte dhe komike.

Për mua, pjesa më interesante është përmbledhja e jetës zakonisht e vendosur nga familja, si për shembull: babai i dashur i, bashkëshorti i mirë i, gjyshja e dashur e, nëna e shkëqyer e. Nuk më kujtohen fjalitë specifike por zakonisht janë përshkrime formale, shabllon, pa shumë fantazi, për dikë të dashur nga pjesëtarët e familjes të cilët e kujtojnë me dhimbje. Në momentin e leximit të roleve të ndryshme të një personi, me rradhë, (babai i, djali i, vëllai i) epitafi përcjell trishtimin dhe humbjen e atyre që mbijetojnë të humburin. Por, shpesh, këto rreshta aq të kufizuara në shprehjen e një jete të tërë më shtyjnë të mendoj edhe për njerëzit e mi të afërt, si për shembull gjyshërit e gjyshet që ndodhen atje ndërkohë që unë shkruaj. Për të qënë më preçize, ky informacion i kufizuar, i gdhendur në një gur më bën të mendoj se sa pjesë e jotja e paanalizuar janë këta njerëz të afërt dhe, ndoshta si rezultat i këtij familiariteti të tepërt, njëkohësisht sa misteriozë! Po, është e vërtetë se, në rolet përkatëse, secili ishte perfekt.Por për çfarë ose për kë mendonin kur nuk ishin thjesht “burrë,” “grua,” “gjysh,” “gjyshe”? Cilat ishin historitë, dilemat, pakënaqësitë, fantazitë, pengjet, ose njerëzit e tjerë të rëndësishëm në jetët e tyre të cilët ata ruanin për vete? Çfarë detajesh mungojnë tërësisht në një gjë aq të kufizuar por dhe të përjetshme si guri i varrit?

Duke njohur më mire veten dhe duke kuptuar se jeta përbëhet barazisht nga elementë të fshehur sa dhe të dukshëm, ndjenja dhe mendime të shprehura po aq sa të mbrojtura, do doja të dija dhe më tepër për ta. Por, tashmë është tepër vonë; jo gjithçka është e mundur dhe momenti luan rolin kryesor në jetët tona. Dhe, megjithëse historia bazohet në fakte e data dhe favorizon saktësinë, pjesa më interesante por ndoshta e pakapshme nuk shprehet dhe dihet dot kurrë tërësisht.Ndoshta kjo është arsyeja që jemi thellbësisht vetëm: në pamje, të plotë, por realisht të fragmentuar me një pjesë në një vend, tjetrën brenda dikujt tjetër e kështu me rradhë, diçka tërësisht e ndryshme nga historia dhe përmbledhja jonë solide por e pasaktë e cila shkruhet nga fitimarët, mbijetuesit, si çdo version historie.

by Kleitia Vaso
  • Gizi

    në shumicën e rasteve emrat e familjarve në varre, kanë një funksion më tepër praktik se shpirtëror, tregojnë sponsorizuesit e varrit 🙂

  • kleitia

    Po, si shumica e gjerave ne jete, thote vizitori:) ishte me shume nje analize per jeten kur dhe

    guri sherben nje qellim praktik. Megjithese po te ishte me i detajuar, do te ishte nje lemsh i vertete. Faleminderit o burim i sigurt!:)