by Kleitia Vaso

Stuhi dëbore. Një fluturim i anulluar. Gjëra që mund t’iu ndodhin të gjithëve. Megjithatë, arsyeja anashkalohet në mënyrë të menjëhershme. Nuk të mban për as edhe një minutë; është tepër e dobët. Menjëherë mendohet më e keqja, fataliteti. Si mund ta lëmë mamanë tonë në këtë aeroport të huaj dhe të ftohtë ndërkohë që pret vetëm, e braktisur prej nesh, për fluturimin a pasigurt?! Nga shprehja e shoferit që po na shoqëron, kuptojmë se tragjedia në mendjen tonë është një shqetësim i thjeshtë i parë nga jashtë. Të tjerët duken sikur po e marrin më lehtë. Disa qeshin dhe dy a tre pasagjerë po pijnë nga një birrë megjithëse është ora 6 e mëngjesit. Por, ne jo. Përshëndetemi sikur po ndahemi përgjithmonë, dhe megjithëse nuk dua të ngjaj si fëmijë para shoferit, më mbushen sytë me lot dhe fillon të më dridhet mjekra. Gjithçka përjetohet si jetë a vdekje, shumë më më intensitet se ç’është e nevojshme. Çdo vendim – të qëndrojmë apo largohemi – si një dilemë e madhe morale, zgjidhja e të cilës do të ndikojë në vazhdimin e udhëtimit, e mund të ndryshojë rrjedhën e jetëve tona. E gjithë kjo dramë do të harrohet pjesërisht në momentin që përfundon por intensiteti i këtyre orëve do të ketë shkurtuar, pa dyshim, jetët tona.

Shumë gjatë, kam menduar se të gjithë reagonin në këtë mënyrë, jo vetëm pjesëtarët e familjes time. Por, kam vënë re me kalimin e kohës, se shumica e njerëzve duket se reagojnë e veprojnë brenda një niveli më neutral. Me siguri, shumë shmangin imazhin e përplasjes së metalit me mishin sa herë udhëtojnë me tren. Gjithashtu, ndoshta nuk iu shkon në mendje, ndërkohë që shohin për rroba në ndonjë qendër tregtare, se shkallët elektrike shkojnë kundër instinkteve njerëzore. Kur ndahen nga nëna e tyre për një periudhë të përkohshme, mundet që nuk kthehen në fëmijë qaramanë në momentin e ndarjes. Kjo ndarje dhe shumë të tjera më pas trajtohen thjesht si pjesë e jetës dhe ndoshta nuk përjetohen si një plagë e freskët çdo herë, çdo ditë.

Në këto raste “reagimi të tepruar”, pavarësisht nga serioziteti ose ndoshta, pikërisht prej tij, më kujtohet gjithmonë një fjali e komedisë Tropic Thunder (Stuhi Tropikale). Një nga personazhet, aktor, i shpjegon aktorit tjetër se arsyeja që ky i fundit nuk fitoi një Oskar në filmin e fundit, në të cilin luan një person autik – një rol i vlerësuar nga Hollywood-i  – është zhytja e tij e plotë në rol. “Ti u bëre komplet budalla,” i shpjegon kolegu duke sugjeruar se publiku do të preferonte një version më të zbutur të realitetit. Nuk më bën për të qeshur subjekti, por çfarë fshihet midis rreshtave. Me të drejtë, këshilltari në këtë dialog, nënkupton se për të “fituar,” për të qenë i suksesshëm në jetë dhe për tu quajtur i rritur, duhet pak shtirje e përfshirje sipërfaqsore.

M’u kujtua ky çels suksesi para disa muajsh, kur djali i vogël, 4-vjeçar i koleges time, përjetoi një dashuri të rrufeshme por jetëshkurtër në takimin tonë të parë. Sigurisht, më përkëdheli sedrën dashuria e tij fëmijnore siç na ndodh të gjithëve jo vetëm me njerëz por edhe kur një mace apo qen duket se na preferon ndaj të tjerëve. Pasi u takuam, djali, pavarësisht fazave të ndryshme të jetës në të cilat ndodheshim, donte vetëm që të luanim së bashku. Ditën e parë, pasi u ndamë, mamaja e tij, paksa e shqetësuar, më tha se fëmija ishte zgjuar me të qara e ulërima prej gjumit zakonisht paqësor të drekës. “Po,” mendova, duke e njohur menjëherë dhimbjen e tij të thellë por kalimtare, “nuk është e lehtë të fshish menjëherë fytyrën e njeriut që të pëlqen apo të shtypësh dëshirën për t’a parë menjëherë! Por, do të mësohet si të harrojë së shpejti.”

Ditën tjetër, gjatë vizitës së dytë, e shtyva për një periudhe të gjatë në lisharëse, një aktivitet që për të kombinonte disa elemente bazë të lumturisë – dhe vështirë ta privoje nga kjo – ndërsa për mua ishte më argëtuese se rutina e përditshme e mëngjeseve verore në punë. Pasi u largua, e dija që dhimbja e pashmangshme pasuese nuk do të vononte.

“Zakonisht i pëlqen shumë të shkojë te gjyshja,” më tha mamaja e tij, gjysmë e habitur, “por sot, qante e qante e nuk donte të shkonte.” Pas këtij incidenti të fundit, djali nuk u rikthye më të na vizitonte. Besoj se emocioni i madh përpara rutinës të të shkuarit te gjyshja do ta vështirësonte këtë të fundit duke e kthyer në detyrë aktivitetin e këndshëm deri në atë moment. Vazhdo rrugën tënde kësulkuqe, e mos devijo! Nuk mendoj se ai e kupton. Është tepër herët. Por, një ditë do ta kuptojë.

by Kleitia Vaso