by Kleitia Vaso

Gjithçka fillon nga “uni”. Çdo përpjekje për zbulim, nga eksplorimi nëpërmjet artit tek kategorizimi i shkencës si edhe interpretimi i pseudo-shkencave paksa qesharake si astrologjia të drejtojnë, përfundimisht tek vetja. Sigurisht, këto fusha të gjera duket se qëndrojnë vite-drite larg nga koncepti i vetes por, besoj se përfundimisht, të gjitha janë një përpjekje për të kuptuar dhe zbuluar natyrën tonë. E gjithë kjo rrugë mund të vizualizohet si një udhëtim që nis nga një pikë e vogël, kalon permes qelizave, fushave, yjësive, botëve fiktive të pafundme, por që në fund rikthehet në pikënisje.

Megjithatë, duke u mbrojtur nga një interes i tepruar tek vetja, duhet të theksoj se e mira, e keqja dhe e shëmtuara janë të ndara nga një vijë e hollë, e cila, në fakt, nuk ekziston aspak, por si çdo vijë, kufizim, ose përkufizim, n’a ndihmon t’i përthithim gjërat pa u mbytur. Kjo vijë është lehtësisht e perceptueshme tek të tjerët, por e vështirë për t’u përcaktuar tek vetja. Duke qenë e qortuar për doza të konsiderueshme narcisizmi, por gjithashtu duke patur parasysh se narcisizmi vesh maska të ndryshme, disa të deklaruara e të tjera, më të fshehura, jam gjithmonë e ndërgjegjshme për një interes të ekzagjeruar tek vetja dhe bota ime e si rrjedhojë dalloj lehtësisht një dashuri të tepërt për veten tek të tjerët.

Mania e momentit për selfies, për shembull, nuk është aspak tërheqëse për mua; më shumë se dashuri për veten, tregon një fiksim me kontrollin e tepruar të imazhit. Nëse një person fotografon veten nga kënde të mirëstudiuara dhe të gjetura, të cilët e paraqesin atë në versionin më të mirë, qëllimi duket se është eliminimi i suprizës. Më shumë se një dashuri të vërtetë për fytyrën dhe trupin e tij/të saj, produkti që iu ofrohet të tjerëve përfaqëson një imazh të kuruar dhe imtësisht të kontrolluar që personi në fjalë do t’i tregojë botës. Në rastin e selfie-t, narcisizmi përjashton aspektin e vetë-eksplorimit, sepse a mund të mësosh më shumë për veten nëse ke gjithmonë të njëjtin këndvështrim?

Përqëndrimi i tepërt në paraqitjen e jashtme shfaqet me gjithë anën e tij të frikshme dhe të errët kur, veçanërisht si femër, përballesh me ato figura tragjike, të cilat si rezultat i komplimenteve të vazhdueshme për një tipar a sjellje specifike, e ekzagjerojnë atë sjellje – qëllimisht apo pa dashje – duke u transformuar në karikatura të vetes. Për të ilustruar këtë fenomen, do të prezantoj dy shembuj të këtij përkeqësimi gradual në faza të ndryshme të të qenit femër. I pari përfaqësohet nga vajzat e reja, të cilat përqendrojnë energjitë e tyre në të dukurit seksi përpara se të dinë vërtet kuptimin e fjalës dhe çfarë ajo përfshin. Sidomos në shoqërinë kryesisht maskiliste shqiptare, ku edhe vetë meshkujt kanë më pak liri e pushtet se mendojnë, këto vajza të reja vetëm pozojnë duke përthithur shumë pak, ose aspak, nga ambienti përreth, dhe pa marrë ndonjë kënaqësi të veçantë. Pozimi për të tërhequr të tjerët përjashton qëllimin: marrëdhënien. Nga ana tjetër e spektrit kemi gratë e pjekura të cilat,në vend që të përdorin eksperiencën e tyre për t’u ndjerë mirë me veten, pozojnë po aq shumë, buzëqeshin si koketa të pafajshme dhe sillen si Lolita të mbipjekura. Këto raste më turbullojnë veçanërisht. Rrëshkitja graduale dhe pa mendje në karikaturë të vetes mund të na ndodhë të gjithëve.

Më rrënqethet mishi sa here kujtoj versionin letrar të Narcizit të plakur, Gustav von Aschenbach në romanin e shkurtër të Thomas Mann, Vdekje në Venecia. Gustav, një shkrimtar i suksesshëm gjerman shkon në Vencia të gjejë pjesën e munguar, pasionin, i cili i shfaqet në formën e një Narcizi të ri, Tadzio, me të cilin shkrimtari fiksohet gjithnjë e më shumë derisa, në një përpjekje për t’u dukur i ri e i dëshirueshëm, lyen flokët e fytyrën duke u transformuar në një figure të trishtë e patetike. Pjesa më shqetësuese e këtij fundi për lexuesin risjell reagimin plot neveri të vetë Aschenbach në fillim të tregimit, kur sheh një figurë, i cili i lyer dhe i spërdredhur më tepër seç duhet, pasqyron imazhin e vetë fundit të Aschenbach. Megjithatë, në fund të fundit, shkrimtari përjeton dashurinë më të fuqishme në këtë pikë të jetës së tij.

Pavarësisht këtyre zonave të rrezikshme, rezulton se një dozë e mire narcisizmi është e domosdoshme për eksplorimin e vetes. Nëse dikujt i mungon interesi në funksionimin e mendjes dhe emocioneve të vetes, interesi tek të tjerët është i pamundur. Por, eksplorimi i vetes kërkon një lloj “lëshimi” dhe fenomeni bashkëkohor i selfie-t e përjashton këtë pasiguri. Rrjedhimisht, preferoj një doze paksa më të madhe dashurie për veten se sa një mungesë kurioziteti për të dhe botën që na rrethon.

Ndërsa reflektoja mbi vijën e hollë ndarëse midis dashurisë që nxit zbulimin e vetes dhe zhytjen fatale në imazhin e vetes pa rikthim, mendova, çuditërisht, për një të njohur të largët të cilën e harroj shpeshherë që ekziston. Duke e gjykuar nisur nga perceptimi i saj prej të tjerëve, të cilët shpeshherë harrojnë prezencën e saj, mungesën e vitalitetit, dhe deklaratat e saj të sinqerta, thuajse mirënjohëse ndaj natyrës, për mungesën e çdo ngjashmërie midis saj dhe fëmijëve, ndjeva mirënjohje për faktin që figurat femërore të afërta për mua kanë karaktere të forta, ndonëse tepër dominante në momente. “Eksploro ose mbaro,” tha J. një ditë dhe unë e besoj.

by Kleitia Vaso