by Kleitia Vaso

Gjah – Tiranë

Kjo lagje është plot ujq të lodhur e qenër të zgjebosur që kërkojnë ndonjë copë mishi a kockë. As për ta ngrënë në shumicën e rasteve. Më tepër, për ta parë, me një shprehje të trishtë që përfshin urinë ekstreme dhe lodhjen po aq të madhe. Sa më tepër mish i ekspozuar, aq më mirë. Cilësia e tij, e fshehur apo e shfaqur nëpërmjet rrobave, nuk ka shumë rëndësi. Në rastin më të keq dhe të rrallë kur mungon një trup gjysmë lakuriq apo i shtrënguar fort nga rrobat, çdo lloj forme femërore mjafton. Edhe gjyshe të rënduara nga mosha dhe të mbuluara mirë nuk janë jashtë loje. Një e vërtetë, në fakt, që nëse duhet të jem e sinqertë, më qetëson disi.

Duke patur parasysh këtë lloj ambienti, u çudita paksa një ditë, kur ndërsa dilja nga lagja e veshur me rroba sportive të dala jashtëmode, u ndjeva pothuajse e padukshme. Kjo gjendje plotësonte një nga dëshirat e mia hipotetike më jetëgjata por, duhet të pranoj, se në vend të lumturisë, ndjeva një lloj çorientimi. Përjetimi vërtetoi se kjo lloj fuqie, e dëshiruar por e ndjerë si e pamundur prej meje, ishte shumë shpejt e arritshme nëpërmjet një palë pantallonash vrapi as të shkurtra dhe as të gjata dhe atletesh të blera pa entuziazëm vite më parë. Kaq mjaftonka për të të shpëtuar nga sytë e uritur, shpesh acarues por zakonisht të parrezikshëm. Sigurisht, e kisha perceptuar mjegulltazi të vërtetën se padukshmëria, si çdo gjendje tjetër, për tu realizuar ka nevojë thjesht për dëshirën e madhe për të. Por, dëshirat janë shpesh kontradiktore. Njeriu do vizibiletitin po aq sa fshehjen, shoqërinë po aq sa vetminë, dashurinë po aq sa qetësinë. Zakonisht dëshiron atë që, për momentin, nuk është.

Kështu, e mbrojtur nga një vello e padukshme, vura re, disi e habitur, se burrat parazitikë të ulur përditë në karriget në trotuar duke pirë birrë e ngrënë qofte, ishin kthyer të gjithë dhe po shihnin diçka para meje. Kurioze për të zbuluar arsyen e këtij kthimi uniform koke, e zhvendosa edhe unë shikimin. Me shumë kuriozitet e pak frikë në zemër, prisja të shihja personifikimin e bukurisë tokësore që kish humbur rrugën në këtë lagje apo dikë duke ecur e zhveshur komplet. E vërteta ishte larg nga këto mendime, gjë që tregon dëshirën e shpeshtë njerëzore për të patur gjithçka, pangopësi që zakonisht pëfundon në shumë pak nga të gjitha.

Vajza e mjerë, objekti i shikimeve plot dëshirë e epsh – brenda mundësive të turmës së lodhur, sigurisht – larg prej të dukurit joshëse apo skandaloze, të jepte ndjenjën e sikletshme të një qënieje të lënduar. Të vetë-lënduar, më saktë, gjë që të shtonte trishtimin. Lëndimi nuk nënkuptonte shenja në lëkurë, por ai shfaqej në çdo lëvizje dhe gjest të saj. Për shkak të  takave të saj të holla e disi të shtrembëruara që nuk përputheshin aspak me dritën apo nxehtësinë e paradites, ecte, e pasigurt, si një akrobate amatore mbi një litar. Më lart, këmbët,  lakuriqësia e të cilave më bëri të ktheja kokën në shenjë turpi e mëshire njëkohësisht. Nuk kujtoj veshjen e saj por ajo që nuk mund të harroj është çfarë vajza shprehte në tërësi. Koka e përkulur me turp e pasiguri  dukej si e ndarë nga trupi i cili vepronte si të ishte i padrejtuar prej saj. Ajo, e turpëruar nga trupi, përpiqej të shmangte përgjegjësinë për veshjen, për pjesën e zbuluar, për sikletin e vetë-shkaktuar, për entuziazmin jetëshkurtër të krijuar tek spektatorët e përjetshëm. Në atë çast, perceptova thelbin e çfarë konsiderohet tërheqëse në sensin më bazik: nuk janë shenjat e fertilitetit, vetë-siguria apo bukuria.  Është dëshira për të kënaqur të tjerët deri në dëm të vetes e shfaqur haptaz, pasiguria e thellë e treguar qartazi nëpërmjet sakrifikimit të mirëqënies, shndërrimi i vetes në pre.

Vajza, me durim, si një drenushë e plagosur,  dukej sikur priste goditjen përfundimtare.

 

Plagët – Gjithandej

Një ditë të bukur, J. tha, e ftohtë por plotësisht e bindur, se një ditë i gjithë njerëzimi do të ketë të njëjtën fytyrë, atë të Kim Kardashian. Megjithëse perceptova një të vërtetë, natyra radikale e komentit më bëri për të qeshur sepse më kujtoi parashikimet tepër të parakohëshme të babait tonë, të cilat i tallnim deri në momentin që gjendeshin përpara nesh e duhet t’i pranonim. Por, pavarësisht gazit e haresë të momentit, një pasdite në aeroport më bindi se kishte të drejtë.

Siç e dimë të gjithë në këtë kohë udhëtimesh e çekzotizimi, aeroporti është vendi ideal për të parë njerëz të lloj-lloj formave, ngjyrave, prerjeve, shprehjeve sidomos kur udhëtari nuk është i lodhur. Në të kundërtën – lodhje ekstreme nga ndonjë udhëtim transatlantik – njerëzit, secili me historinë e tij/të saj të shprehur ose të fshehur pas një pamje e veshje të caktuar, kthehen në një turmë pa fytyrë, një njollë pulsuese, një imazh makthi. Por, kur udhëtimi është i shkurtër dhe udhëtari i freskët, nuk ekziston vend më i përshtatshëm për studimin e njerëzimit dhe, rrjedhimisht, momentin që po jetojmë. Kjo, jo vetëm për shkak të shumëllojshmërisë të tyre, ndjenjave më transparente në këto lloj vendesh të përkohëshme, situatave më dramatike, por edhe sepse në një vend të tillë vëzhguesi mund të ndihet plotësisht anonim, pa një personalitet të formuar, një tabula rasa. Pra, ai, ajo, unë domethënë, mund të jem plotësisht e lirë të shoh kë e sa të dua. Mundësia për t’u parë e ritakuar me ata që të lënë mbresa është e vogël. Kjo mungesë jetëgjatësie garanton liri të plotë.

Kështu që, e freskët dhe disi e lumtur, po shihja me kuriozitet të pafshehur këdo që më tërhiqte vëmendjen. Fenomeni që më bëri përshtypje kësaj rradhe ishte numri i madh i fytyrave me ndërhyrje kirurgjikale apo thjesht transformime të përkohëshme tiparesh. Mund të fillojmë me ndryshimet më sipërfaqësore, si vetullat. Ka disa vite që revistat apo rrjetet social shfaqin  vetulla artificialisht të trashura . Personalisht, më lejoi të zbuloj se heqja maniakale e vetullave është më tepër e dhimbshme sesa e nevojshme. Më e rëndësishme, kjo liri e mirëpritur demaskoi natyrën e vërtetë të mirëmbajtjes fanatike: kurthe të krijuara nga të tjerë e të ndjekura verbërisht prej nesh, zakone që rrallëherë në mos asnjëherë sjellin vetëkënaqësinë që premtojnë. Që në pikënisje, bindja ndaj shijeve të imponuara prej të tjerëve siguron një farë dështimi. Përveç kësaj trashësie frymëzuese, në shumicën e rasteve, këto vetulla të plotësuara ngriheshin si shigjeta drejt tëmthave, në mënyrë të ngjashme me personazhet e Star Trek. Por, vajzat me vetullat amazoniane apo fantastiko-shkencore nuk do ja pranonin kurrë vetes këtë burim të papandehur frymëzimi. Gjithashtu, vura re shumë mollëza të tërhequra, ndoshta nga ndonjë truk sipërfaqsor apo edhe rregullime që zbresin poshtë lëkurës. Për të kuptuar vërtetësinë apo falsitetin e tyre duhet të zbrisja pak më poshtë, te buzët e fryra artificialisht. Këto dallohen lehtshëm. Zona midis hundës dhe buzëve fillon e ngrihet dukshëm bashkë me to duke u kthyer në buzë, pa i lënë  hapësirë tranzicionit hundë-buzë.

Një vajzë më bëri përshtypje të veçantë, jo nga bukuria e saj mahnitëse, siç mund të mendonte ajo, por nga mënyra se si po ecte me vështrimin e ulur, nga veshja e saj trendy por aspak sportive, tepër perfekte për fluturime e aeroporte. Fustani i zi i shkurtër, takat e larta por bezhë dhe klasike, syze dielli të stilit aviator, flokë të shtrira, çdo element i mirëmenduar, sipas modës, por jo vulgar. Megjithatë, siç më ndodh shpesh së fundmi, sidomos kur imazhi im më rikthehet në mënyrë agresive nga syze dielli me xham reflektor bezhë, blu apo vjollcë, ndiej dëshirën më të thellë për tu rikthyer te veshja e togave, çdo gjë e thjeshtë që mund të eliminojë aksesorët e tepërt që kanë zëvendësuar personalitete e cilësi që ndoshta nuk duhen të shihen. Megjithatë, rikthehemi tek vajza, e cila nga larg dukej si një aktore që përpiqej t’i shmangej paraprakisht shikimit të turmës. Nga afër, vetullat e ngritura dhe buzët e fryra, dukej sikur shprehnin krenarinë dhe sigurinë e tepërt se kushdo që do ta shihte do të përballej me mungesën e perfeksionit të vetes dhe me bollëkun e tij tek vajza. Por, unë, thjesht ndjeva keqardhje për të, për pasigurinë apo plagët e brendshme të shfaqura si deformime të jashtme. Si një trup pa lëkurë, një transparencë e dhimbshme, thuajse e papërballueshme.

Shpesh, dëgjon apo lexon se këto lloj ndryshimesh njerëzit i bëjnë për kënaqësinë e tyre personale, që të ndihen më mirë me veten. “Nuk më interesojnë të tjerët, e bëra për veten,” thonë të bindur por fjalia tingëllon e mësuar përmendësh, e përsëritur, e papërtypur. Shumë justifikime tingëllojnë kështu. Sigurisht, kam parë raste kur ky shpjegim ka kuptim, ku nëse nuk merren masa, i gjithë personaliteti, vetëbesimi, lumturia rrezikohen  nga një difekt i lindur, një pikë fokale e padrejtë. Por, ky lloj arsyetimi nuk përfshin buzët e fryra si komardare. C’të mirë ka fryrja e tepërt për veten? Tek tjetri, fryrja artificiale e buzëve ka efekt vulgar më shumë se thjesht sensual apo seksual. Nëse i besojmë teorisë së Darvinit, këto buzë shkurtojnë edhe një hallkë mundimi nga vargu i mendimeve tek publiku tashmë i dembelosur. Nëse ndjekim këtë rrjedhë logjike, ajo që rezulton është ekzagjerimi e deformimi i brendshëm e i jashtëm i vetes, deri në vetëmohim, një fshirje e cila nuk i hyn në punë as “grabitqarëve” tashmë të shëndoshur e dembelë e as vetes apo grimcave të mbetura të saj që thjesht të kujtojnë, nëpërmjet dhimbjeve fantazëm, pjesën e prerë.

by Kleitia Vaso