by Kleitia Vaso

Zgjimi pranveror. Si gjithçka vërtet e bukur, nuk vjen pa një çmim të konsiderueshëm. Gjatë një dimri pothuajse gjashtë mujor, çdo shtresë, e jashtme dhe e brendshme, ishte po aq e qetë dhe e patrazuar sa sipërfaqja e një liqeni. Çdo natë, një rast për tju dorëzuar gjumit rigjallërues, pa hezitim dhe pengun më të vogël se diçka më emocionuese po ndodhte diku tjetër. Një zhytje plot dëshirë në thellësinë e errët dhe po aq qetësuese të botës nokturne që fatmirësisht, e mund dëshirën tonë për të kontrolluar. Zgjimi, si ai i bukuroshes së fjetur pas njëqind vjetësh, i shoqëruar nga një ngritje graduale drejt sipërfaqes. Pamja e jashtme reflektuese e një pushimi të plotë. Lëkura si ajo e personazheve të përrallave dimërore (megjithëse asnjë përrallë nuk është verore) e pastër dhe e bardhë, e paprekur nga dielli për muaj me rradhë. Kjo shtresë e jashtme, e paqme dhe e qetë, pafajësisht tregonte qetësinë e brendshme që pak hapa e ndanin nga letargjia apo gjumi dimëror i kafshëve. Por, rehati nuk mund të shijohet pafundësisht. Dalëngadalë, një farë mërzie fillon e rritet, gradualisht por pa dyshim transformohet në padurim dhe fillon kërkon të kundërtën e vet. Në këtë rast, diellin. Përpara, në një vend në të cilin dielli shkëlqen i tërbuar dhe pa mëshirë për gjashtë muaj të gjatë, ëndërroja shpesh për një të ftohtë aq të madh sa do të mund të sterilizonte gjithçka të pluhurosur dhe djersitur nga vera. Në momente kur nxehtësia më merrte frymën apo shkaktonte marramendje të lehta, imagjinoja fjorde dhe, çuditërisht, siç ndodh kur i do gjërat me intensitetin e duhur, pothuajse e arrita. Nëse jo fjordet, të paktën një klimë në të cilën ata mund të ekzistojnë. Megjithatë, edhe pasi preka akullin e dashur, pa harruar të vlerësoj bujarinë tinëzare të jetës, fillova të fantazoj për të kundërtën e tij, një lloj rizgjimi pranveror.

E ndjeva ardhjen e saj para se të shfaqej. Çuditërisht jo jashtë, siç mund të pritet. Trazimi apo zgjimi filloi brenda ose, më saktë, poshtë sipërfaqes të lëkurës. E pastër dhe e lëmuar gjatë dimrit, sapo qielli filloi të ishte blu për më gjatë se disa orë dhe dielli filloi të shkëlqente me vetëbesim, pa frikë, ndjeva dhe pastaj vura re, me tmerr, acarime pothuajse të padukshme nën sipërfaqe që shpresova ishin të përkohëshme. Por jo. Dielli më zgjoi dëshirën për të shkëlqyer si vetë ai, duke më marrë, njëkohësisht, përsosmërinë që i përket padrejtësisht të ftohtit torturues. Acarimet e shfaqura si maja e ajsbergut thjesht tregues të një trazimi që nis nga stomaku dhe si një rreth mizash rrotullohet me zhurmë lart e më lart, në mushkëri duke arritur deri në fyt. Para se të hedh një hap jashtë, nëpërmjet derës apo murit, mund të nuhas lulet, pemët që lulëzojnë, me çdo membranë, të hundës apo mushkërive, të tërhequr drejt këtij lulëzimi agresiv. Çdo shtresë, çdo organ, ngjitet drejt sipërfaqjes, duke u bërë njësh me lëkurën. Ndjehem si një lëmsh pikselash të shpërndarë, të paaftë të formojnë një imazh solid. Asnjë vijë ndarëse midis meje, këtij grumbulli pikash, dhe botës jashtë, ajrit, atmosferës plot ngarkesë, në dukje normale por duke pritur të shpërthejë. Një botë që duket, me sytë e mendjes por edhe ata fizikë, si një mirazh në shkretëtirë, i paqëndrueshëm, herë duke u dukur, të tjera duke u venitur. Asgjë nuk është e ngurtë. Atomet dhe molekulat përbërëse të secilës bimë, luleje, peme, qënieje, të dukshme, të pazonja për tu mbajtur fort me njëra-tjetrën siç mundeshin jo shumë kohë më parë në borën e ngjeshur. Çdo pikë, e ndjeshme, e përshkueshme nga gjithçka tjetër. Gjithçka brenda dhe jashtë – tashmë një – pulson, loton, acarohet nga dëshira e sikletshme për tu ringjallur, për të jetuar përsëri. Këto lëvizje plot tension, ende të pasigurta, përgatisin terrenin për çeljen e papërmbajtur që do të vijë, një çast kur gjithçka do të shpërthejë, plot jetë, duke derdhur lotë lumturie.

by Kleitia Vaso