by Kleitia Vaso

Një reflektim i shkurtër mbi dashurinë, e vetmja ndjenjë që ja vlen çmimin e lartë shoqërues sepse e vetmja e cila zgjon, gjallëron gjithçka tjetër; afron qiellin, më pak distant në momente ngritjeje, yjet që tashmë i përkasin përjetësisht Van Gogh-ut, të lindur nga dashuria e tij e tepërt dhe fatale për botën, diellin jetë- dhe dritë-dhënës, hënën vetmitare të cilën, sidomos të plotë dhe të zbehtë, të vjen ta puthësh, aq e bukur është.

Çdo dhimbje, çdo gëzim, derivat i kësaj ndjenje. Dhembje stomaku, koke, ngërç, bllokim, përdredhje, spërdredhje, acarim lëkure, acarim në përgjithësi, të gjitha shenja të dashurisë të munguar, zhvendosur, shmangur, ndoshta edhe të ekzagjeruar.  Trupi sulmon veten sepse duhet të plotësojë mungesën e emocionit, mendimit, lumturisë, vuajtjes. Apo, më saktë, mendja, me makinacionet e dredhitë e saj e kthen kundër nesh. Gjithsesi, për ne frikacakët, parehatia fizike përfaqëson një lloj çlirimi pervers dhe nuk lodhemi duke e diskutuar, kapemi tek ajo, luajmë me të si një mace me një lodër ndërkohë që thjesht na shpërqendron nga sëmundja e vërtetë.

Pasioni i zjarrtë për çështje sociale, fytyra të deformuara nga zemërimi për padrejtësi të ndryshme, protesta për një gjë ose kundër një tjetre, të gjitha kanalizime të dashurisë të devijuar. Mangësia, paaftësia për ta pasur ose shijuar – shkaku i pabarazive e padrejtësive të ndryshme që sjellin reagimet e mësipërme, të cilët përfundojnë si reflektime më tepër se zgjidhje të problemeve.

Shëtitje, eskursione të organizuara pa fund e pa qëllim nëpër male, fusha e pyje, dhënia e tepërt pas ushqimit ose kufizimi i stërmunduar i tij, shopping-u me gjithë eksesin apo kursimin shoqërues, dedikimi gjithë shpirt apo indiferenca e plotë ndaj vendit të punës, shqetësimi i vazhdueshëm për detaje të panumërta e të parëndësishme janë thjesht eko dhe imitime të dashurisë, dehjes të saj, dëshirës, urisë që ajo krijon, ankthit të lehtë apo mbytës që e shoqëron në pothuajse çdo hap, efektet zbukuruese dhe shëmtuese, përpjekje për kontroll të rremë, për t’iu përafruar të njëjtës eksperiencë pa rrezikuar aq shumë.

E vetmja ndjenjë përveç ndjekjes dhe përmbushjes të një prirjeje  – jo thjesht pozicioni pune – që shkakton ndjenjën e shumëkërkuar në lloj-lloj mënyrash natyrale dhe artificiale e të mrekulluarit që jeton, je gjallë, në formën e përmbajtjen që të është caktuar. Ndoshta edhe veprat e artit mund të përcjellin të njëjtën ndjesi,  të lidhur ngushtësisht me fenë zakonisht por që, pavarësisht perëndisë të përzgjedhur, nuk është as më shumë e as më pak se të arriturit të ndjesh e dish me mendje, trup, shpirt, çfarë do të thotë të qenit gjallë.

Por, dashuria që mundëson këtë lloj ngritjeje nuk mund të vijë me çmim uljesh megjithëse të gjithë mendojnë që janë më dinakë se tjetri dhe se vetë jeta. Kështu që nëse ke arritur të marrësh ndonjë gjë shumë të mirë, lirë, kontrollo edhe një herë me kujdes cilësinë.

Si shpeshherë, më vjen ndër mend një nga ato shprehjet të cilat i kam lexuar, menduar që i kam kuptuar vetëm për t’ua kapur kuptimin e vërtetë shumë më vonë. Për shembull, kur Adorno me mendjen e tij si një bisturi të mprehtë e të pagabueshme shkruan në Minima Moralia se jeta publike ka pushtuar edhe sferën private dhe gjithçka ka marrë trajtën e tregtisë, besoj se duhet të kem tundur kokën me bindje pa prekur thelbin, fatkeqësisht.

Tani, e di mirë ç’ka dashur të shprehë filozofi. Transaksionet kanë pushtuar çdo sferë duke përfshirë dashurinë, të vetmen zonë disi të lirë që na mbetej. Jo thjesht transaksionet monetare sepse këto  do të preknin prostitucionin ose martesën, të lidhura këtu vetëm nga aspektet kontraktuale të të dyjave. Jo, këtu i referohem trajtimit të dashurisë, marrëdhënieve me njerëzit, si një e mirë praktike në të cilën jep për të pretenduar që do marrësh në rikthim një sasi ndoshta jo të njëjtë në formë por të barabartë, për të cilën kryen sakrifica vetëm nëse ato përmbajnë premtimin e heshtur apo të thënë për të marrë të tjera në këmbim. Këto rregulla, norma, nuk mirëpriten këtu, me të drejtë. Përfitimi i menjëhershëm për të ulur çmimin ose cilësinë sa dallon një lëshim të pakontrolluar, të natyrshëm, spontan të tjetrit më duket më i rëndë se një sulm i hapur.

Në momentin që këto përfitime prej tregtari modest fillojnë, arsyeja dhe falsiteti fitojnë gjithnjë e më tepër terren dhe dashuria fillon e shtyhet në një cep, e detyruar të marrë formën e ndonjë katrori apo trekëndëshi, e shtypur prej detyrimeve e arsyetimeve. Kur njëri, tjetri, apo të dy fillojnë të ulin e ngrejnë çmimet, të heqin një gjest kohëhëarxhues për t’u treguar më efiçentë, atëherë ndjenja që duhet respektuar si më e fuqishme se ne, si një nga eksperiencat e rralla për të cilat jeta ja vlen të jetohet, lartësuese edhe shkatërruese, e pakapshme nga çfarëdolloj përkufizimi gjithnjë i mangët, më në fund është kapur, futur në një shishe apo kuti, e ambalazhuar si një produkt apo shërbim, e robëruar, e lidhur, e kufizuar, por mbi të gjitha e dobishme, e përdorshme.

Dhe vetëm e dobishme nuk ka lindur të jetë. Nga natyra, është ekstra, jo e domosdoshme për mbijetesë, një objekt luksi nëse do të përdornim gjuhën e tregtarëve dhe biznesmenëve. Për këtë arsye, iracionalja është elementi që e mban gjallë, gjesti që përputhet dhe shpreh dëshirën e brendshme, i pazbutur në përkthim, me qëllimin kryesor e ndoshta të vetëm, krijimin e kënaqësisë ose lumturisë, sado të përkohëshme të tjetrit. E panevojshmja e ushqen, prandaj, kur nuk e kuptojmë ose kërkojmë të zbulojmë se ku flututroi e u zhduk e tëra, duhet të llogarisim, të lejojmë hapësirë për faktorin X, elementin e pallogaritshëm por të nevojshëm si fryma që marrim.

by Kleitia Vaso