by Kleitia Vaso

Qyteti i huaj që më ka pëlqyer pa masë që në pamje të parë është Stambolli. Nuk parashikoja që do më pëlqente aq shumë. Edhe mënyra e të pëlqyerit më habiti dhe, ndoshta, kjo habi përbën arsyen kryesore për këtë dashuri me shikim të parë – e vetmja e këtij lloji. Çfarë prisja ishte një tip bukurie të rrënuar, një vend zymtësisht romantik, sepse në atë kohë sapo kisha mbaruar romanin autobiografik të Orhan Pamukut Stambolli: Kujtimet dhe Qyteti (2003).

Një tjetër arsye e pjesshme për këtë dashuri dhe besnikëri (në memorie, jo fizike) të papritur është bukuria e pandrojtur e qytetit, pushtuese, e pranishme deri në kufij të teprisë. Shkurtimisht, një bukuri që nuk ka frikë të shfaqet dhe të shprehë fuqinë e saj në mbytjen e gjithçkaje tjetër që mund të jetë objektivisht më e rëndësishme por jo aq e fortë sa të mposhtë influencën e saj iracionale.

Çfarë më kujtohet kryesisht është gjelbërimi i këtij qyteti dhe veçanërisht lulet. Stambolli zgjoi një nostalgji të fjetur deri në atë kohë, mallin për parqe e kopshte botanike të cilët vetvetiu, në mënyrë të natyrshme, përmbajnë të njëjtën lloj bukurie trullosëse dhe aspak modeste: e gjelbërta e qetë e ndërprerë nga ngjyra të ndezura, të gjalla.

Sigurisht që të qenit banuese e një qyteti të ndotur nga betoni, pluhuri dhe fytyra kryesisht të palumtura, vetëm zmadhon këtë kombinim nostalgjie dhe dëshire për diçka që lufton dhe mund gjithçka tjetër thjesht duke ekzistuar. Megjithëse mund të duket sikur mendimi për kopshte e rrethuar nga mijëra probleme më kryesore në Tiranë ngjason me vajtjen në kinema gjatë një periudhe me luftë, për shembull (aktivitet që në fakt është shtuar në ato periudha), vazhdoj të ëndërroj për një kopsht më tepër se interierin e një shtëpie, për shembull, ose një sistem më efikas transporti, si duhet të mendojë një qytetar i mirë dhe i përgjegjshëm.

Këto ditë, e sfilitur nga dhuna shqisore në Tiranë e kap veten duke i kuptuar të moshuarit e çuditshëm në Amerikë (më parë të paragjykuar dhe gjykuar si njerëz pa jetë interesante ) të pajisur me gërshërë të mëdha kopshtarie dhe durim. A është kjo dashuri e re për kopshtarinë dhe lulet një shenjë plakjeje apo pjekjeje?

Le të themi që përgjigjen ende nuk e di por mendoj që Stambolli, qyteti që prisja të doja në një mënyrë dramatike dhe melankonike siç më kishte përgatitur Pamuku, më habiti tërësisht dhe jashtëzakonisht me ngjyrat e tij të hareshme dhe ringjalli një dashuri të fshehur për disa dekada brenda meje.

by Kleitia Vaso