by Kleitia Vaso

I admiroj njerëzit të cilët kërkojnë vazhdimisht të njohin e kuptojnë veten-me guxim e jo në mënyrë sipërfaqësore- dhe përsëri ndjehen disi të qetë me çfarë zbulojnë; në të kundërt, kam më pak konsideratë për ata që e shmangin këtë proces të paparashikueshëm sepse rrjedhimisht, kanë më pak njohuri dhe më pak për të ofruar, por ndjej një fare zilie për rehatin e tyre të përditshëm. Shikimi i gjatë i vetes tradhëton gjurmë të lehta narcisizmi, krijon dyshime mbi gjithçka dhe më sjell në mendje gjithmonë rënien çorientuese dhe plot kthesa e surpriza të Lizës në Botën e Çudirave. Duket se për të ndjekur hapat e nevojshëm të jetës “normale,” duhet shmangur shikimi i gjatë dhe i thellë në pasqyrë. Përndryshe, mund të kalosh në anën tjetër, pikërisht si Liza, ose duke vërtetuar shprehjen e famshme dhe të frikshme të Niçes se “nëse sheh shumë gjatë në humnerë, humnera kthehet e të sheh ngultazi gjithashtu.”

Një bisedë me J. më drejtoi në një kërkim pa ndonjë qëllim të caktuar dhe të shpërndarë të kësaj çështjeje. E gjitha filloi nga një pyetje për një shokun tim të cilin doja t’a bindja t’i shihte gjërat siç i shoh unë. Edhe po të doja t’a shpjegoja konfliktin tonë, nuk mundem, sepse nuk më kujtohet. Ishte një keqkuptim,ose, më saktë, një mirëkuptim individual prej secilës palë, pa pikë takimi. “Ndoshta, kur të analizojë veprimet e mia,” thashë unë, “gjithçka do të jetë e qartë.” “Nuk do të ndodhi,” tha J. “sepse asnjeri nuk do t’a kuptojë të vërtetën nëse nuk është e volitshme për të.” Sigurisht, e besoj këtë gjë. Përpjekjet për të kuptuar ose edhe kuptimi i pavullnetshëm i një të vërtete të pafavorshme ka rezultuar në eksperienca të dhimbshme, zakonisht. Megjithatë, meqënëse jeta vërtet është më e çuditshme se çdo lloj trillimi, në momentin e shkrimit të këtyre rreshatve protagonistja e filmit, Rruga e Revolucionit, April, gjysma e një martese të marrë fund, tha pikërisht këto rreshta: “Asnjeri nuk e harron të vërtetën; thjesht, bëhen gënjashtarë më të zotë.”

Një manifestim i të njëjtës ide po përflitej në një rreth më të gjerë. Në mënyrë më specifike, po diskutohej tipari i theksuar shqiptar i disektimit të të tjerëve ndërkohë që për veten e tyre dhe dëshirat e mendimet e dyshimta që kanë mund të mbeten relativisht naivë. Cila është rruga më e favorshme? Për të gjetur përgjigje iu drejtova miteve, të vërtetave tona të përbashkëta të cilat shpjegojnë natyrat tona, duke i formuar, njëkohësisht. Miti i parë që ri-pashë ishte ai i Narcizit, po aq i bukur sa edhe i tmerrshëm. Ndërkohë që shihja copa të mitit diku e të tjera diku tjetër, u fokusova tek emri i Tireziut, profeti i verbër i cili luan një rol kyç në disa mite greke. Në mitin e Narcisizit, profeti paralajmëron nënën e tij se jeta e djalit do të jetë e gjatë vetëm nëse ai nuk do të “njohë” veten. Ndërkohë që ky episod ishte i panjohur për mua, m’u kutjua që në tragjedinë e njohur Edipi Mbret,profeti që nuk sheh, përpiqet vazhdimisht t’ia fshehë Edipit të vërtetën për veten dhe origjinën që mbreti e kërkon me aq ngulm. Vërtet, tek Edipi Mbret, dëshira për të njohur veten prezantohet si pangopësi që përfundimisht dëmton dhe shkatërron gjithçka. E dimë që Edipi zbulon që ka vrarë babanë dhe është martuar e ndan të njëjtin shtrat me mamanë, por, pa kuriozitetin e tij që, në fund, e çon drejt vetë-verbimit [Edipi nxjerr sytë e tij nga e vërteta e papërballueshme që kërkon çlirim], a do të kishte qenë ndonjëherë mbret dhe miti ndoshta më i diskutuar i të gjitha kohërave?! Si shpeshherë, duket se çështja e vërtetë është masa dhe ekuilibri, gjithmonë eluzivë, por ndoshta vetë-zbulimi, i matur, mund të n’a shpëtojë nga transformimi në krijesa mitologjike pa patur mitin që të na ngurtësojë në përjetësi dhe gjithashtu, në të kundërtën, nga fati i një mbijetuesi të zakonshëm, rastësor.

by Kleitia Vaso