by Kleitia Vaso

Për shumë gjatë, lidhja e shumëpërfolur midis këtyre dy zhanreve të kundërta, ishte eluzive për mua. Sigurisht, pohoja kur të dyja përmendeshin me një frymë sepse teorikisht e kuptoja lidhjen. I njëjti reagim vlen edhe për bashkimin – e preferuar nga shumë – të dashurisë dhe urrejtjes, kuptimin e të cilit sapo e kap më rrëshket përsëri nga duart e mendja. Në këtë rastin e fundit, i shoh të dyja ndjenjat më të fuqishme e ekstreme si pothuajse tërësisht të ndara, me njërën që përmban elemente të tjetrës dhe anasjelltas por jo të shkëmbyeshme. Siç duket, kjo lidhje e dytë është ende për t’u përjetuar e pastaj, mësuar.

Për mua, marrëdhënia e ngushtë midis komikes dhe tragjikes u qartësua gjatë pushimeve të para disa viteve në plazh. Për herë të parë në vite e vite me rradhë, po pushoja për më gjatë seç dija ç’të bëja me aq plazh e pushim. Deri në atë pikë të jetës time, isha mësuar me aq shumë lëvizje sa periudha e gjatë në një vend mikroskopik më riktheu një ndjenjë të harruar nga e kaluara, një ndjenjë që nuk kisha më kohë t’a përjetoja: mërzinë e zvarritur të fëmijërisë e cila shoqërohet nga një temperaturë e lehtë, e cila ndoshta përfaqëson padurimin për të patur “lirinë” dhe “aventurat” e të rriturve. Ishim familjarisht për dy javë të plota në të njëjtin vend, të rrethuar nga të njëjtit njerëz dhe, si pasojë, në një gjendje gjysmë-fëmijnore, gjysmë përtacie feline,nisëm të vëzhgonim, fillimisht me indiferencë dhe pastaj me një lloj interesi pasiv pushuesit e tjerë përreth. Në veçanti, vëmendjen tonë e fitoi dalëngadalë një çun i vogël i formuar në mënyrë të çuditëshme, i pozicionuar nga natyra mizore pikërisht në kufirin e rrezikshëm midis të shëmtuarës dhe të lezetshmes. Fytyra e tij ishte si ajo e një zogu: me një hundë si sqep, syze me xhama tmerrësisht të trashë të cilët bënin që sytë e tij të dukeshin gjigantë, jashtë çdo proporcioni logjik me fytyrën dhe një mjekër të futur brenda që vërtet nuk mund të quhej mjekër. Trupi i tij ishte një miks i çuditshëm midis një vajze të vogël, nga beli e poshtë, dhe një burri të vogël (mesoburri tipik shqiptar, do të shtoja) nga beli e lart; me supe te ngushtë e të rënë dhe një bark të konsiderueshëm. Me pak fjalë, një krijesë mitologjike. Rrinte zakonisht vetëm dhe dukej sikur zbavitej. Kur, herë pas here, gjente shokë dhe hidhej me ta mbi një dyshek trampolinë si top, gëzoheshim dhe ne; në fakt, filluam të lumturoheshim pa masë kur ai gjente shokë megjithëse n’a vinte keq kur shihnim si i hidhte shokët e tij më elegantë lart në ajër për shkak të mbipeshës së tij. Në një moment dyshuam që këta shokë dinakë po e përdornin pikërisht si një gur të rëndë që mund t’i hidhte lart e më lart në ajër. Prej tij, unë dhe J. menduam të hapnim një kamp, ku fëmijët që tregonin dobësi dhe të cilët, sipas nesh, do t’i priste një jetë e vështirë, mund të ndiqnin kurse motivuese për t’u bërë më të fortë; kurse manipulimi, në një farë mënyre, ku do të mësonin si të trajtonin fëmijët e tjerë nga të cilët, patjetër, do të keqtrajtoheshin. Por,e kuptuam që konkretizimi i kampit mund të kthehej në diçka makbër dhe kjo ide, si shumë të tjera, mbeti thjesht një ëndërr paksa djallëzore.

Kjo përmbledhje mjafton për një lloj përshkrimi të sfondit. Ditën e fundit në plazh, ndërsa flisnim paksa të terhequra nga grupi me të cilin rrinim, gjatë muzgut të trishtuar i cili krijon një peshë dhe mërzi të pashpjegueshme, unë dhe J.pamë djalin e vogël që mori një akullore dhe nisi të vraponte me një vrull të papritur ndërkohë që hante akulloren. Në atë moment,me vrapin e tij që i shëmbëllente lëvizjes të një pate, dukej njëkohësisht ekstremisht i lumtur dhe i vetmuar, sa duke e parë e duke qeshur me të madhe, pa pushim dhe paralajmërim midis, fillova të qaj me dënesë. As vetë nuk e kuptova ç’më ndodhi. Më vonë, dikush ofroi shpjegimin se lotët e mia rrodhën nga ngjashmëria dhe ndryshimi ekstrem i figurës së një atleti olimpik duke mbajtur pishtarin dhe djalit të vogël të keqformuar me akulloren lart. Ky shpjegim m’u duk gjenial nëse i mirëmenduar. Dhe ky është episodi im komiko-tragjik.

 

by Kleitia Vaso