by Kleitia Vaso

Vizita e përfolur e Papa Françeskut në Shqipëri, në jetën time personale erdhi pas një sërë episodesh të këndshme dhe të pakëndshme, por jo të lehta ose neutrale: miq/mikesha që grindeshin për detaje të parëndësishme, njerëz të afërt të acaruar me njëri-tjetrin për shkak të padrejtësive subjektive, ritakime me njerëz të rëndësishëm pas periudhash të gjata pauze. Të gjitha këto aktivitete të grumbulluara krijuan një re të madhe dhe të rëndë presioni që priste të shkarkohej. Në pritje të Papës, duke imagjinuar raportin me fjalë dhe të heshtur midis tij dhe popullit, duhet të pranoj se pavarësisht mungesës të theksuar të edukimit dhe prirjeve fetare, në moment isha shumë pranë lotëve, si një fëmijë që do të qajë për të çliruar tensionin e një barre të papërcaktuar. Unë, dhe besoj, shumë të tjerë prisnim të ndjenim diçka, ndoshta një ndjenjë iracionale uniteti me njëri-tjetrin, një pranim të një fuqie më të madhe se ne të shprehur nëpërmjet kësaj figure të përzgjedhur, një emocion të fuqishëm dhe të papërshkrueshëm me fjalë. Shkova t’a shihja megjithëse kontakti i parë me turma të mëdha njerëzish më shkakton rrahje të shpejta zemre dhe ngjall imazhin e turmave me kuaj të egër që vrapojnë drejt meje. Mbi të gjitha, doja të shihja nëse personi i përcaktuar si udhëheqësi shpirtëror i një besimi të përcaktuar zotëronte një sasi të jashtëzakonshme karizme, një njohuri intuitive e mbinjerëzore mbi emocionet e turmës që e rrethon dhe fuqi për t’i drejtuar këto emocione sipas qëllimeve të tij, për mirë a për keq.

Përjetimi real nuk ishte dhe kaq i fuqishëm; në fakt, për mua ishte një ceremoni si gjithë të tjerat, me fjalime zyrtare të parapërgatitura dhe pa shumë surpriza. Mund t’a krahasoj me një qokë jo të pakëndshme, pa ndonjë problem, por edhe pa ndjenja të forta. Pritshmëritë e mia tregojnë qartë se sa shumë e kuptoj realitetin, ceremonitë dhe fenë; jo dhe aq shumë. Nuk mund të them se ishte një ditë tërësisht e zakonshme por më fuqishëm përjetova pritjen e eksperiencës sesa ngjarjen konkrete.

Megjithëse turma nuk ishte aspak barbare, dallova disa raste acarimi në njerëz të caktuar si rrjedhojë e afërsisë të tepërt me njëri-tjetrin dhe garës të padeklaruar por të perceptueshme për të qenë sa më afër – më afër se tjetri – personazhit kryesor. E përfshij veten në mënyrë të pamëshirshme në këtë grup sepse u acarova dukshëm me disa gra të huaja të cilat bërtisnin sipër zërit të Papës. Për një çast, fuqia e acarimit tim i shndërroi njerëzit përqark në figura të ndryshme kafshësh dhe duke pare turmën me kujdes, perceptova që një fije e ndante kontrollin ekzistues nga humbja katastrofike e tij dhe ne nga të qenit një tufë kuajsh të egër ose edhe ndonjë lloj tjetër kafshe, më pak e bukur dhe fisnike. Ndërsa Papa predikonte për mëshirën që duhet të tregojmë ndaj njeri-tjetrit, një koncept paksa artificial dhe i panatyrshëm, kuptova se ana tjetër e vijës ndarëse të padukshme, xhungla, është stimuli që krijon dhe i jep pushtet këtij njeriu dhe institucioneve fetare. Ne krijojmë dhe gjysmë-besojmë në fjalë të mjegullta si paqe dhe mëshirë megjithëse ato shpesh shkojnë kundër instikteve tona dhe mbeten të pambështetura nga historia jonë e përbashkët sepse, ndryshe, mund t’a shqyenim njeri-tjetrin pa mëshirë dhe brerje ndërgjegje.

by Kleitia Vaso