by Kleitia Vaso

Megjithëse zakonisht përpiqem të evitoj cliché, është e pashmangshme që përshkrimin tim të udhëtimit në lagunën e Kunës me Urban Sketchers Albania mos ta quaj një skicë letrare. Kur shprehjet ngulin këmbë, nuk ka kuptim të hiqesh superior dhe të mohosh praninë e tyre. Refuzimi, në raste ngulmimi, theksoj, do të ishte mungesë vërtetësie.

Përpara prezantimit të impresioneve të mia, duhet të pranoj dy gjëra në lidhje me karakterin tim:

  1. Megjithë dashurinë time për të bukurën, ngjyrat e gjelbërimin, kur mendoj fjalën “natyrë”, më vjen në mendje një kopësht botanik…pra, natyrë e zbutur dhe e sofistikuar që shërben të kënaqë shqisat e njeriut dhe është në dizpozicion të tij. Maksimumi i natyrës “të egër” në mendjen time është deti, por edhe ky në një version të këndshëm plazhi më tepër se deti si forca primitive që mund të na shkatërronte të tërëve me një dallgë të fuqishme.
  2. Eksursionet në grup shkojnë paksa kundër natyrës time, njëkohësisht të pavarur dhe përtace, sepse bashkëpunimi dhe itinerari i sforcuar shkaktojnë rezistencë ndaj çfarëdo mrekullie që mund të paraqitet përpara meje.

Por, megjithë këto dy pengesa imagjinare, duke patur gjithnjë zili njerëzit të cilët me lapsa dhe bojëra mund të paraqesin versionin e tyre të realitetit, u nisa me një lloj vendosmërie për të përdorur të vetmin mjet që kam në dispozicion – fjalët – për të ofruar versionin tim të eksperiencës. Ngjyrave dhe copëzave të natyrës në skica do ju shtohej dhe një skicë fjalësh.

Problemi i parë për mua dhe, besoj, edhe për skicuesit është se natyra, megjithë madhështinë e saj të paperceptueshme tërësisht prej mendjeve tona të kufizuara, ofron një lloj uniformiteti vizual që nuk ekziston në të kundërtën: konteksti urban, imitimi i saj i dalë jashtë dore. Në qytet, një copëz pallati me qindra gërvishtje, shkarravina e ngjyra paraqet diçka më brenda mundësive të prezantimit, me fjalë ose bojëra, se bukuria intimiduese e natyrës që mund të të lërë pa veprim, reagim apo fuqi në përballjen me të.

Problem i dytë gjithashtu lidhet me kapërcimin midis dy botëve: asaj “të qytetëruar,” të zhurmshme, si në tinguj ashtu edhe pamje, dhe natyrës, e cila për ne, si njerëz kryesisht urbanë, është më pak e natyrshme se mbingopja shqisore e qytetit. Meqënëse shpesherë shprehim lodhje dhe pakënaqësi për papastërtinë dhe zhurmën e qytetit, presim – ose prisja, më saktë –që në kontaktin e parë me natyrën të ndjeja qetësi dhe paqe shpirtërore. Por, gjërat rrallëherë janë aq të thjeshta dhe megjithëse brezi (duke përfshirë çdo njeri që jeton në këtë moment) ynë efikas dhe pragmatist i dëshiron të gjitha ashtu si dhe kur do vetë – me minutazh mundësisht – jeta dhe natyra na gdhendin pak nga pak duke kalitur durimin tone të pakët, shpeshherë kundër vullnetit.

Përballja ime e parë me lagunën filloi me dëshirën e madhe për t’iu arratisur, e shkaktuar nga gërvishtje të lehta por të pakëndëshme kallamishtesh.  Ecja, e zhgënjyer me veten më shumë se natyrën, e përpiqesha të ndjeja atë për të cilën kisha ardhur. Por, ky lloj presioni – e dimë – është kundërintuitiv: ai të pengon të arrish pikërisht qëllimin për të cilin përpiqesh aq shumë. Pothuajse e dorëzuar dhe pa pikë emocioni, u ula në një kafene së bashku me partnerin tim në aventura e ekskursione, J. Me një ndjenjë të lehtë turpi, më duhet të pranoj se në atë moment isha duke vendosur ta shpenzoja ditën atje, në një copë ordinariteti të realietit tonë urban. Por, pakënaqësia që më bën të vuaj, edhe më sforcon të kërkoj e të dua gjithnjë e më tepër. Vazhdova kërkimin pothuajse pa shpresë të një emocioni.

Ndoshta, pikërisht mungesa e shpresës më drejtoi drejt gjendjes të duhur. E mërzitur dhe e mërzitshme, po zvarritesha nëpër shtigjet e ngushta të zonës kur papritmas fillova të krahasoj pa e kuptuar pemët dhe gjelbërmin rrethues me pyjet e magjepsura të përrallave të vëllezërve Grimm. “Shenjë e mirë,” mendova, “truri nuk qenka çaktivizuar tërësisht nga uniformiteti dhe qetësia vizuale e peizazhit natyror.” Në momentin e transformimit po bisedonim me J. për kopshtin e Eden-it.  Ajo po shprehte se megjithë bukurinë e saj, natyra është pak e mërzitshme dhe monotone dhe kjo “pafajësi” e shtynte të  kuptonte  truqet artificialë të krijuar nga njerëzit- duke filluar me braktisjen origjinale të kopshtit prej dy paraardhësve tanë fiktivë, Adami dhe Eva, dhe duke vazhduar me krijimin e qytetit – për ta bërë jetën e tyre më interesante dhe të variuar.

Duke biseduar pikërisht për arratisjen prej saj dhe vështirësinë e të qënit të frymëzuar nga ky kontekst tërësisht të ndryshëm nga ai familjari –qyteti – përpara me zunë sytë një urë të vogël, mbi të cilën flladi eliminonte lodhjen e diellit, rraskapitës deri në atë moment, uji të sugjeronte freski, pemët dukeshin lehtësisht të dallueshme prej njëra tjetrës – secila me personalitetin e saj – dhe qielli e dielli të krijonin idenë e një lirie e jete pa kufinj.

Të ulura në urë,unë fillova të shkruaj diçka – shënime të shkëputura por gjithsesi të pasforcuara – dhe J. filloi të skiconte. Nuk mund të them që ndjeva thirrjen e të parëve, ose që u shndërrova në një qenie të natyrshme dhe të pafajshme.  Por, mund të them, me siguri, që mendova për Tom Sawyer-in dhe Huckleberry Finn-in, fëmijërinë time nëpër fushat e Stadiumit Dinamo e vende të tjera të ngjashme dhe një lloj kënaqësie e pandërlikuar shqisore më pushtoi për një moment. Një kënaqësi kjo që më bëri të ndjehesha pa moshë. Ky eliminim i kohës mori me të edhe ato frikëra që në kontekstin e përditshëm shpesh ngjajnë të pakapërcyeshme. Ndjeva plotësisht se si shqisat tona janë të krijuara për t’iu përgjigjur tërë elementeve të ndryshëm –ajrit, ujit, diellit.

Vetvetiu ndjeva atë që kam lexuar në shumë libra: çdo kapërcim botësh, udhëtimi nga jeta tek nëntoka e grekëve të lashtë ose lëvizja nga parajsa natyrore në qytet të personazheve si Robinson Crusoe, kërkon kohën dhe ndërmjetësin e vet. Në këtë rast, elementi lidhës ishte -në mënyrë pothuajse më tepër të përshtatshme seç duhet – ura.

Kuptova se si për mua, ashtu edhe për pjesëtarët e tjerë të grupit, elementi kyç ishte gjetja e vendit të duhur që, në fund të fundit, si çdo kërkim, të çon drejt vetes.

Udhëtimi në vazhdim të ditës u kthye gradualisht në një përjetim pothuajse fëminor  të njerëzve, ushqimit, lodhjes fizike, mungesës të mendimit. Grupi i skicuesve ndanë ushqimin e tyre me ne pa na njohur dhe së bashku udhëtuam për një kohë të gjatë pa ndjerë presionin e zakonshëm për të krijuar një lloj marrëdhënie artificialisht të afërt sepse ajo u krijua vetë – ndoshta e përkohshme por e vërtetë – nga eksperienca e përbashkët. Ky rikthim në një lloj pafajësie – ose, më saktë, fëmijërie –rezultoi më i fortë se rezistenca ime ndaj pjesëmarrjes në aktivitete në grup dhe prirja ime për ndërlikime të përjetimeve të cilat duhet te jenë më të thjeshta.

Mu kujtuan fjalët e një artisti bashkëkohor, Robert Montgomery, i cili përdor mjetin klasik të reklamimit të jetës moderne – billboard-in – për të vënë në pyetje pikërisht karakterin, shpesh bosh, të kësaj jete. Duke iu drejtuar njeriut të sotëm, ai shkruan “SEPSE DUHET T’I VENDOSJE NJË EMËR GJITHÇKAJE QË GJETE DHE TË KRIJOJE LOGO PËR IDE TË KËQIJA,TË NDËRROJE MAKINËN ÇDO DY VJET…PËR SHKAK TË KËTYRE DUHET TË MËSOSH TA SHOHËSH QIELLIN PËRSËRI…”

Si çdo eksperiencë me vlerë, udhëtimi mund të konsiderohet një hap i vogël drejt Itakës së vërtetë: kërkimit, pyetjes dhe njohjes të vetes.

by Kleitia Vaso