by Kleitia Vaso

Ndryshe nga tregimi i Chekhov-it, ku zonja e titullit bie në dashuri me një burrë të martuar, si vetja, dhe vetëm pjesërisht të disponueshëm, bashkëkohësja jonë është e dashuruar me konen e saj. Për fatin e saj të mirë, qeni, shoku më besnik, mund t’i qëndrojë pranë vazhdimisht dhe përjetësisht, sa të zgjasë jeta e tij, të paktën.  Zëvendësimi i shpejtë por ndoshta i dyshimtë i Dimitrit, burrit të tregimit, me qenin e vërtetë nuk nënkupton praninë e ndonjë nuance perverse në dashurinë e zonjës për qenin e saj, megjithëse dashuria nuk është asnjëherë tërësisht sterile dhe çdo lloj përmban gjurmë të paidentifikueshme. Megjithatë, duke anashkaluar rrëshkitjen nëpër mendime të sikletshme, çfarë shfaqet përpara meje mund të përshkruhet veçse si një shfaqje e thjeshtë dhe e pastër e emocionit.

Ajo që më lejon ta vëzhgoj me qetësi praninë e papritur të ndjenjës më të lavdishme është mungesa e lëvizjes. Për fat të mirë, ndoshta jo për qenin, zonja nuk po i bën shëtitje. Të dy janë ulur përballë meje në një vagon treni. Dyshja nuk më intereson aspak fillimisht. Ndjehem më tepër e bezdisur nga prania e një qënieje të cilës nuk mund tja parashikoj lëvizjet. Gjithashtu, paksa e kontraktuar për të mos e shfaqur këtë pakënaqësi pasi zonja në fjalë nuk duket tepër si e tillë, në fakt. Me flokë të rruara dhe një shprehje të ashpër në fytyrë, pamja e saj nuk të fton ta shohësh në dritë të syrit, sidomos kur je e çorientuar e në një vend të huaj. Kështu që përpiqem të shmang vështrimin e saj deri sa syri më kap transformimin e fytyrës së saj ndërsa kthehet nga qeni. Më duket aq ndryshe sa e harroj sikletin dhe kthehem për tu siguruar që është i njëjti person që sapo pashë pak sekonda më parë.

Duke parë qenin e fjetur në prehërin e saj, ajo duket sikur diçka e ndriçon nga brenda. Fytyra e saj zbutet e zbukurohet aq shumë në krahasim me versionin e mëparshëm sa që frika kthehet në një kujtim qesharak. E habitur, vazhdoj e shoh me një ndjenjë të çuditshme nostalgjie. Por, nostalgji për çfarë?! Fillimisht, as vetë nuk e gjej përgjigjen deri në momentin që kuptoj sa kohë e gjatë ka kaluar që kur kam parë shikime të ngjashme të shkëmbyera mes qënieve njerëzore. Ndoshta shkëmbimi nuk është fjala e duhur pasi kjo marrëdhënie është disi e njëanshme. Por, tashmë, edhe qeni pret shikim e saj ledhatues dhe kërkon mbështetjen e saj për çdo veprim.

Ajo qesh me aq lumturi kur ai leh apo bën ndonjë gjest qesharak sa dhe unë buzëqesh në ajër, si e dehur, gjoja nga e njëjta ndjenjë, thjesht për të shmangur dyshime mbi vlefshmërinë e dashurisë së saj. Më kot përpiqem t’i shoh të dy me të njëjtën ngrohtësi që ekziston mes tyre. Fytyra ime është tepër transparente dhe e shfaq haptazi edhe shtirjen. Por, nuk mund të rresht së pari. Tashmë, jam e përfshirë në këtë mini-melodramë. Herë pas here, ajo sheh nga dritarja dhe, në këto çaste, duket thellësisht e vetmuar. Fatmirësisht, për të gjithë, qeni leh ose lëviz duke e kthyer vëmendjen e saj në diçka më të këndshme.

Kaq për zonjën.

Po ai? Zhvendos fokusin dhe kthehem nga qeni. Natyrshëm, rri i qetë dhe pastaj, papritmas, i gjallëruar, duket sikur nuhat diçka dhe do të ndjekë këtë gjë të mistershme. Në këto momente, instinktet e tij prej gjuetari shfaqen mbi fasadën e një qënieje të zbutur. Por, kjo zgjat shumë pak. Çfarë mund të gjuajë në fund të fundit?! Si ne, qeni është në tren.

“A duhet të jetë një qen në një tren?” mendoj. Putrat e tij duket sikur rrëshkasin dhe shkaktojnë një zhurmë të çuditshme kur ai lëviz, qimet e tij të gjata duken shumë të buta kur prekin metalin e trenit, sytë pa dritë nën shkëlqimin e lodhshëm të dritave neon. Megjthëse, fytyrat e të gjithëve duken si pa gjak nën ndriçimin e ashpër. Çfarë kombinimi i panatyrshëm materialesh! S’ka as bar, as dhė, vetëm metal, çelik pa fund që gjithmonë më bën të mendoj, për një sekondë, gjatë ambientimit të përhershëm, përplasjen e tyre fatale me mishin e butë. Por, diçka më shpërqëndron nga këto mendime të errëta që nuk çojnë askund. Një erë e fortë urine vjen nga drejtimi i qenit, i cili me zgjuarsi dhe turp shmang çdo shikim fajësues. Ai e di që duhet të kishte pritur dhe pak. Por, gati më gëzon fakti që u çlirua pikërisht në vendin dhe momentin e gabuar duke poshtëruar paksa të zonjën e tij dhe duke na ndëshkuar të gjithëve me erën e padurueshme. Nuk është faji i tij që është aq e tmerrshme. E përzierë me dheun apo me barin, do të kombinohej mirë duke u zbutur dhe zhdukur gradualisht por, këtu, ambienti e zmadhon intensitetin e saj duke i dhënë një nuancë pothuajse metalike dhe duke i treguar kafshës së mjerë se ka humbur rrugën e ndodhet këtu gabimisht.

Mëshira për zonjën më shuhet me shpejtësi. Ajo e do qenin verbërisht dhe duket se krenohet për varësinë që ai ka krijuar ndaj saj. Në këtë vend alien, i duhet për ta udhëhequr. Dikur e ka ditur këtë të vërtetë dhe ajo por tashmë ka harruar, me dëshirë e vullnet, se shprehja mirënjohëse në fytyrën e tij vjen nga nevoja më tepër se dëshira. I tredhur dhe i pazot për veten, si një mace pa kthetra që lind me dëshirën për të gërvishtur por privohet nga mjetet, zonja e ka transformuar qenin e saj në një shoqërues ideal. Ajo ngrohet dhe ndriçohet nga reflektimi i dashurisë së saj, e vetmja anë që ka rëndësi, në fund të fundit. Por, ndërkohë që zbresin nga treni, qeni kërcen pas saj dhe gjatë kësaj lëvizje që ndodh në sekondë por ndjehet si më shumë, zgjatet dhe egërsohet. Duke e parë me kureshtje, pyes veten nëse një ditë, papritur e papandehur, do të ngrejë krye duke kafshuar dorën që e ushqen.

by Kleitia Vaso