by Kleitia Vaso

Më kujtohet një episod gjatë të cilit, në një shkëmbim reciprok komplimentesh, pronari/kuzhinieri i një restoranti i cili është një i njohur i mamasë, si përgjigje ndaj fjalëve të mira, e komplimentoi atë për pamjen a saj të re për moshën dhe për tonën, vajzat e saj, për të cilat konstatoi se “dukeshim që ishim bërë me qejf.” Komenti më solli kënaqësi sepse komplimentet janë gjithmonë të mirëpritura veçanërisht kur janë pak të çuditshme dhe origjinale, por edhe më shtangu paksa guximi dhe nënkuptimet e tij. Ndërkohë mendova  që komenti përmban një të vërtetë; megjithëse asnjëra nga ne nuk është perfekte në  detaje, secila ka trashëguar, në mënyrën e saj, një kombinim të mirë të cilësive pozitive të prindërve të cilët janë të veçantë në vetvete, ndoshta shumë më tepër se ne. Gjithashtu, mamaja na ka treguar vazhdimisht se gjatë asaj periudhe ata ishin shumë të dashuruar, pothuajse në  mënyrë naïve, sepse të dy ishin relativisht të rinj dhe pa eksperiencë. Ne mbetemi kujtimi i gjallë i asaj ndjenjeje.

M’u kujtua ky fragment i ripërsëritur në bisedat tona ndërkohë që vura re në plazh ekzistencën e dy lloj familjesh të ndryshme, të dyja emblematike në një farë mënyre. Një familje ishte nga një qytet  i vogël i Shqipërisë (jo Tirana) dhe, si e tillë, e parë instiktivisht (edhe nga unë megjithëse përpiqem t’a shmang këtë paragjykim) si “më pak e qytetëruar”. Ky perceptim nuk ndihmohej nga pasuria e tyre e dyshimtë dhe mënyra brutale, në sipërfaqe, e të folurit. Por, pas një ngrohje  graduale, zbulova që prindërit ishin shumë të sjellshëm dhe të dashur dhe dy fëmijët e tyre veçanërisht të bukur; në fakt, ata i tejkalonin të dy prindërit dukshëm,  si në pamje ashtu edhe në personalitet. Nga pikënisja jopremtuese e “inferioritetit,” filluam t’a shihnim familjen në fjalë me habi e adhurim. Pavarësisht acarimeve të vogla që ndodhin mes anëtarëve të çdo familje, ishte e qartë që të katërt ishin relativisht të kënaqur me njëri-tjetrin dhe që ata fëmijë, më të bukurit dhe të lezetëshmit atje pa dyshim, plot ngjyra dhe me miksin e duhur të ëmbëlsisë dhe mistrecllëkut, ishin krijuar në një periudhë që përfshinte dashurinë dhe kënaqësinë . Ndoshta kjo familje përfaqësonte një kombinim të vlerave tradicionale  me një lloj ndikimi perëndimor si rrjedhojë e pasurive të mbledhura shpejt; megjithatë, familja në fjalë ishte shembulli më i mire që kam parë i këtij fenomeni. I vetmi aspekt shqetësues ishte ndjenja, se nën gjithçka të dukshme,  një fije edhe më e hollë se zakonisht e ndante të mirën dhe të keqen, të bukurën dhe të shëmtuarën.

Një tipologji tjetër e familjeve pushuese ishte e përfaqësuar nga disa familje të ndryshme por që kishin diça të përbashkët. Le t’i quajmë familja elitë e kontekstit dhe kohës tonë. Prindërit janë zakonisht intelektualë, artistë ose edhe biznesmenë modestë, të kombinuar me njëri-tjetrin në një moshë të arsyeshme (jo aq të rinj por edhe jo shumë të mëdhenj, të pjekur), të cilët zakonisht krijojnë një familje prej tre vetash (një fëmijë). Supozoj që fëmija është pasojë e një kombinimi faktorësh praktikë me një dozë frike dhe mbidozë mendimi: lekët, mosha, dhe ide të reja dhe trendy mbi të qenit prind. Fëmija tolerohet dhe llastohet por, në të njëjtën kohë, prindërit i drejtohen si të jetë një adult i formuar, me vullnet të lirë: dhuna fizike dhe verbale janë absloutisht të ndaluara dhe republika e izoluar e treshes flasin në tone të ulëta. Produkti i këtij kombinimi premtues dhe praktik duhet të ishte në rregull, por në rastet e mësipërme, fëmija kishte një pamje gjysëm të bërë dhe ishte paksa hezitues dhe i sikletosur në marrëdhënie me të tjerët, si fëmijë dhe adultë. Prodhimi i kësaj familje të mirëplanifikuar tregon gjithë hezitimin e prindërve interesantë ose, më shpesh, pseudo-interesantë; jo kënaqësia, por detyrimi i veshur si momenti dhe ndjenja e duhur, e kanë krijuar atë.

by Kleitia Vaso